Një incident i rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm aeroportin Heathrow në Londër, ku disa persona u sulmuan me një spraj irritues në parkimin shumëkatësh të Terminalit 3.
Sipas policisë, një grup burrash spërkati me substancë djegëse disa qytetarë dhe më pas u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Oficerët e armatosur ndërhynë menjëherë, duke arrestuar një të dyshuar që ndodhet tashmë në paraburgim, ndërsa vijojnë kërkimet për të tjerët.
Ndërkohë, një segment lidhës i autostradës M4 u mbyll përkohësisht për shkak të situatës emergjente. “National Highways” raportoi se “një incident serioz brenda tunelit të Heathrow” shkaktoi bllokime të trafikut drejt Terminaleve 2 dhe 3, por më vonë njoftoi se rruga ishte rihapur.
Të plagosurit u transportuan në spital dhe fatmirësisht nuk janë në rrezik për jetën.
Edhe pse Terminali 3 vijon të jetë funksional, zona përreth po përjeton vonesa dhe kufizime për shkak të pranisë së shtuar policore.
Shefi i policisë, Peter Stevens, tha se ngjarja duket të ketë lindur nga një konflikt mes personave që njiheshin me njëri-tjetrin:
“Një debat është përshkallëzuar duke shkaktuar plagosjen e disa prej tyre. Oficerët tanë reaguan me shpejtësi. Nuk po e trajtojmë incidentin si akt terrorizmi.”
Hetimet po vazhdojnë, ndërsa policia po punon për të identifikuar dhe arrestuar personat e tjerë të përfshirë.
