Një zjarr i fuqishëm në një klub nate në rajonin turistik të Goa-s, Indi, ka shkaktuar një tragjedi të rëndë me 25 viktima, konfirmojnë autoritetet lokale. Mes të vdekurve ka si punonjës të lokalit, ashtu edhe turistë që ndodheshin në zonën Arpora, një qendër e njohur për jetën e natës.
Sipas BBC, zjarri shpërtheu pak pas mesnatës së së shtunës, kur në kuzhinën e klubit dyshohet se ka shpërthyer një bombol gazi. Flakët u përhapën me shpejtësi në ambientet e brendshme, duke bllokuar dhjetëra persona brenda.
Autoritetet deklaruan të dielën se numri i viktimave u rrit nga 23 në 25, ndërsa gjashtë të plagosur po marrin trajtim mjekësor dhe janë në gjendje të qëndrueshme.
Skena paniku në vendngjarje
Dëshmitarët treguan për momente të tmerrshme, me njerëz që tentonin të shpëtonin mes tymit dhe flakëve.
“Zjarri ishte përqendruar në zonën e kuzhinës në katin përdhes,” tha Alok Kumar, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Goa-s.
Ai shtoi se shumica e trupave u gjetën pranë kuzhinës, çka sugjeron se viktimat ishin kryesisht punonjës të lokalit që nuk arritën të largoheshin në kohë.
Zjarrfikësit arritën ta vinin nën kontroll flakën disa orë më vonë, ndërsa një hetim i detajuar ka nisur për të përcaktuar saktësisht shkaqet e ngjarjes, si dhe për të verifikuar masat e sigurisë së klubit.
