Shqipëria mund të bëhet pjesë e Grupit F në Kupën e Botës 2026, nëse siguron kalimin nga play-off-i i marsit. Në këtë grup gjenden Holanda, Japonia dhe Tunizia — skuadra me eksperiencë të madhe në skenën ndërkombëtare.
Trajneri i Japonisë, Haxhime Moriasu, ka komentuar shortin, duke theksuar se pavarësisht se cila skuadër europiane do dalë nga play-off-i, ajo do të përbëjë rrezik serioz, duke nënkuptuar edhe Shqipërinë.
“Jemi sërish në një grup shumë të vështirë,” tha Moriasu. “Holanda është një nga ekipet më të mira në botë. Tunizia ka një mbrojtje të fortë dhe fitoi kualifikueset afrikane pa pësuar gol. Fituesi i play-off-it nga Europa nuk është ende i përcaktuar, por me nivelin e rivalitetit në futbollin europian, nuk ka dyshim që do të jetë ekip i fortë.”
Sipas trajnerit, përballjet do të jenë të gjitha sfiduese, ndaj Japonia duhet të hyjë në fushë me përgatitje maksimale.
“Çdo ndeshje do të jetë e vështirë. Do të marrim iniciativën dhe do të japim 100% në çdo duel. Dua që lojtarët të zhvillohen, të rriten në klubet e tyre dhe të kontribuojnë në formën më të mirë për Botërorin,” shtoi ai.
Moriasu nënvizoi ambicien e madhe të Japonisë:
“Ne ndajmë objektivin për të fituar Kupën e Botës. Nuk është e lehtë, por do të përballemi me besim. Vetëm duke sfiduar çdo kundërshtar dhe duke grumbulluar fitore mund të arrijmë synimin. Do të bëjmë çmos të përgatisim Japoninë sa më mirë dhe të bëjmë të gjithë krenarë.”
Trajneri u bëri thirrje tifozëve të qëndrojnë të bashkuar dhe të mbështesin ekipin në këtë rrugëtim.
