Një konflikt mes dy familjeve në Gramsh është përshkallëzuar në përleshje fizike, ku rezulton të jetë përfshirë edhe një punonjës i Policisë së Shtetit. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme, rreth orës 17:00, ndërsa katër persona u morën nën hetim: babë e bir nga njëra familje dhe dy vëllezër nga familja tjetër.
Sipas njoftimit të policisë, konflikti fillestar dyshohet se ka nisur mes E. H., 46 vjeç, dhe L. A., 49 vjeç, për motive të dobëta. Më pas, grindja është zgjeruar, duke përfshirë edhe djalin e 46-vjeçarit, një 17-vjeçar, si dhe F. A., 57 vjeç, vëllai i 49-vjeçarit dhe njëherazi punonjës policie.
Për këtë ngjarje, specialistët për Hetimin e Krimeve kanë referuar materialet në Prokurori, duke nisur procedimin penal ndaj 46-vjeçarit E. H. për veprën “Dëmtime të tjera me dashje”.
Ndërkohë, duke qenë se në konflikt është përfshirë edhe një efektiv policie, veprimet procedurale lidhur me L. A. dhe vëllain e tij F. A. po kryhen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Materialet i janë dorëzuar Prokurorisë së Elbasanit, që pritet të sqarojë dinamikën e plotë të ngjarjes dhe shkaqet e konfliktit mes dy familjeve.
