Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi dënimin me 25 vite burg për Blendi Tetën, i akuzuar për vrasjen e ish-efektivit të Policisë së Shtetit, Santiago Malko, ngjarje e ndodhur më 27 gusht 2019 në Tiranë.
Fillimisht, Teta ishte arrestuar për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës, por më pas akuza ndaj tij u riformulua në “vrasje me paramendim”, dhe dosja e tij u veçua nga të pandehurit e tjerë të çështjes.
Sipas prokurorisë, motivi i vrasjes lidhej me përplasjen e dy grupeve kriminale në rivalitet për aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit:
– nga njëra anë vëllezërit Duka dhe njerëzit e tyre,
– dhe nga ana tjetër ish-polici Santiago Malko, i konsideruar si i afërt me Ervis Martinajn.
Në dosjen hetimore, Teta ka rrëfyer para grupit hetimor lëvizjet e mbrëmjes së ngjarjes, darkën në bodrumin e lokalit në Fresk në pronësi të vëllezërve Duka, ndarjen në dy automjete (“Skoda Roomster” dhe “Golf 5”), ndjekjen e “BMW X5”-ës në zonën e Spitalit nr.5 dhe faktin se ai është larguar nga vendi pak para atentatit. Më pas, ai ka thënë se ka kuptuar nga lajmet në televizion se bëhej fjalë për të njëjtën makinë që po vëzhgonin dhe se ishte frikësuar, duke thyer edhe telefonin që kishte në përdorim.
Dosja hetimore përshkruan edhe prishjen e marrëdhënieve mes Leonard Dukës dhe Ervis Martinajt, të cilët sipas hetimeve kishin pasur shoqëri dhe bashkëpunim në lojëra fati, hotele, lokale dhe trafik droge, por konfliktuan pas dhunimit të babait të Leonard Dukës nga Santiago Malko. Prej asaj kohe, sipas prokurorisë, palët kanë nisur të organizojnë atentate ndaj njëri-tjetrit, ku vrasja e Malkos shihet si një hallkë në këtë zinxhir.
Vendimi i Apelit të GJKKO
Trupi gjykues i Apelit të GJKKO, i përbërë nga gjyqtaret Tereza Merkaj (kryesuese), Valdete Hoxha dhe Edlira Petri, në seancën e 4 dhjetorit 2025 vendosi:
- Lënien në fuqi të vendimit nr. 05, datë 26.01.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, që e dënon Blendin Tetën me 25 vite burg;
- Shpenzimet gjyqësore në apel t’i ngarkohen të pandehurit.
Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë rekursi në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga njoftimi i vendimit të arsyetuar.
