Enver Dajçi, nip i Heroit të Popullit Isa Boletini, është një nga figurat më domethënëse të qëndresës shqiptare gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. I rritur në një familje me tradita të forta atdhetare, ai nuk u pajtua kurrë me dorëzimin e Kosovës nën Jugosllavi dhe as me kthimin e Shqipërisë në një shtet-burg nën diktaturën komuniste të Enver Hoxhës. Pikërisht kjo bindje e çoi në qelitë famëkeqe të hetuesisë dhe në burgjet më të rënda të regjimit.
Për rreth tre vite, Enver Dajçi përjetoi tortura çnjerëzore në hetuesi, të cilat ai vetë i përkrahte me ato të Gestapos naziste. Pas një gjyqi të inskenuar, u dërgua në kampin-burg të Ballshit, ku vuajti një dënim të padrejtë dhe u ridënua përsëri, si shumë të tjerë që regjimi donte t’i thyente moralisht.
Në Ballsh ndodhi një episod domethënës: në të njëjtin burg vuante dënimin edhe Svetko Vukoviq, nipi i gjeneralit malazez që kishte vrarë Isa Boletinin. I frikësuar se nipi i heroit do të hakmerrej, Svetko kërkoi zyrtarisht largimin e Enver Dajçit nga ai burg, duke pretenduar se jeta e tij rrezikohej.
Mimoza Dajçi, vajza e Enverit dhe aktiviste e njohur e komunitetit shqiptaro-amerikan në SHBA, tregon se si reagoi i ati: “Babai im u përgjigj se nuk ishte hakmarrës. Kur Vukoviqi vrau Isa Boletinin, Svetko nuk kishte lindur ende dhe nuk mbante asnjë faj për atë krim. Atë krim – tha im atë – do ta dënojë koha”. Svetko doli i paprekur nga burgu, ndërsa Enver Dajçin e izoluan për javë të tëra në birucë, vetëm pse guxoi të thoshte këtë të vërtetë.
Persekutimi ndaj familjes Boletini kishte nisur shumë më herët. Në nëntor të vitit 1943, nënkolonel Adem Boletini, djali i tretë i Isa Boletinit dhe oficer i diplomuar në Akademinë Ushtarake të Vjenës, u vra në Shkodër nga komunistët e udhëhequr nga Vasil Shanto. Që prej asaj kohe, në Kosovë dhe Shqipëri, familja Boletini u godit nga dy regjime komuniste njëherësh – ai i Titos dhe ai i Hoxhës. Pesëmbëdhjetë anëtarë të saj u vranë apo u ekzekutuan, ndërsa dhjetë të tjerë kaluan vite të tëra në burgje dhe internime politike.
Megjithatë, figura e Isa Boletinit nuk u shua kurrë. Edhe pse regjimi i Hoxhës ndoqi të njëjtën linjë si Beogradi, më 1962 Shqipëria i akordoi Isës titullin “Hero i Popullit”. Emri dhe vepra e tij u përjetësuan në shkolla, rrugë, lagje, njësi ushtarake dhe monumente në gjithë hapësirën shqiptare.
Një nga nderimet më domethënëse të viteve të fundit është vendosja e emrit “Isa Boletini” në një rrugë të Staten Island, në Nju Jork. Ceremonia e inaugurimit u organizua nga aktivisti Naser Nika, në bashkëpunim me shoqata shqiptare dhe autoritete amerikane. Aty morën pjesë personalitete nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora. Në mesin e tyre ishte edhe Mimoza Dajçi, gazetare dhe veprimtare e komunitetit, e cila ka dokumentuar gjatë e gjerë jetën dhe sakrificat e familjes Boletini.
Në fjalën e saj, Mimoza rikujtoi fjalët e Ismail Qemalit për Isën: “Luftërat e tua ishin bazë e përpjekjeve të mia për Pavarësinë e Shqipërisë”. Ajo theksoi se gjaku i Boletinëve është gjallë dhe nuk i harron krimet e kryera ndaj shqiptarëve, nga masakrat në Kosovë e deri te vrasja e vëllezërve Bytyçi dhe dhunimet masive ndaj grave e vajzave shqiptare.
Sot, eshtrat e Isa Boletinit prehen në oborrin e kullës së tij në Boletin të Mitrovicës, ku u rivarrosën solemnisht më 10 qershor 2015, pas një rrugëtimi të gjatë nga Podgorica dhe verifikimeve shkencore në Strasburg. Përpjekjet e familjarëve, intelektualëve dhe prijësve politikë, veçanërisht Presidentit Ibrahim Rugova, bënë të mundur kthimin e tij në atdhe.
Enver Dajçi, nipi që nuk pranoi hakmarrjen, por kërkoi drejtësi e dinjitet kombëtar, jetoi vitet e fundit pranë vajzës së tij Mimoza dhe mbesës Merlin në Bronx të Nju Jorkut, derisa u nda nga jeta në vitin 2015. Historia e tij dhe e familjes Boletini mbetet një dëshmi e gjallë se liria dhe kujtesa historike fitohen me sakrificë, por nuk mund të shuhen as nga burgu, as nga tortura dhe as nga koha.
