Dy persona kanë mbetur të plagosur paraditen e sotme pas shpërthimit të një bombole gazi në një ambient ende të pafunksionalizuar pranë kompleksit “Delijorgji”, në Rrugën e Kavajës.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, nga shpërthimi janë dëmtuar pronari i ambientit, një 40-vjeçar, dhe punonjësi i tij 28-vjeçar. Të dy të plagosurit janë transportuar menjëherë në spital, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Shpërthimi ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Pamjet nga vendngjarja tregojnë xhama të thyer, dyer të dëmtuara si dhe karrige e tavolina të shkatërruara nga fuqia e shpërthimit.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet që çuan në shpërthimin e bombolës së gazit.
