Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, vijoi sot akuzat ndaj qeverisë dhe institucioneve të varësisë së saj, duke u ndalur tek hetimet e SPAK për tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Drejtoresha e këtij institucioni, Mirlinda Kërçanaj, u paraqit një ditë më parë në Prokurorinë e Posaçme, dhe ky fakt u shfrytëzua nga Berisha për të goditur mazhorancën.
Sipas tij, AKSHI ka qenë për vite një qendër abuzimesh dhe tenderash të manipuluar, ku – siç pretendoi – përfitues kanë qenë njerëz të afërt me kryeministrin.
“Ju e patë dje Lubinë numër 2 kur doli nga SPAK,” tha Berisha, duke iu referuar Kërçanajt. “Arben Ahmetaj thoshte ‘AKSHI ishte kopshti privat i Edi Ramës’. Në grazhdin e AKSHI-t bënte kërdinë baxhanaku, Fangu. Fitonte me dhjetëra tendera.”
Berisha: 25 punonjës të AKSHI-t janë thirrur në SPAK
Kryedemokrati deklaroi se në AKSHI ka pasur ndërhyrje direkte të drejtuesve për përcaktimin e fituesve të tenderave, ndërsa theksoi se hetimet kanë përfshirë një numër të madh punonjësish.
“Janë thirrur 25 vetë në SPAK vetëm nga kjo drejtori,” tha ai.
Rasti i Daniel Shimës: “Ka dy muaj i mbyllur, pasi u rrëmbye dhe u dhunua”
Berisha riktheu në vëmendje edhe çështjen e ish-zyrtarit të AKSHI-t, Daniel Shima, duke deklaruar nga foltorja se ai është viktimë e dhunës së grupeve kriminale, si pasojë e konflikteve të brendshme në institucion.
“Daniel Shima, sapo doli Lubia 2 nga SPAK, u shkarkua. Pas disa javësh, policë të rremë e rrethuan, e morën peng dhe banda e Elbasanit e rrahu gjithë natën,” deklaroi Berisha. “Ai sot ka dy muaj i mbyllur në dhomë, nuk del dot.”
Berisha akuzoi mazhorancën se po përpiqet të mbulojë korrupsionin në një nga institucionet më të rëndësishme teknologjike të vendit, ndërsa paralajmëroi se hetimet e SPAK pritet të thellohen edhe më tej.
