Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas emërimit të Xheni Beqajt si drejtor i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit. Në një deklaratë publike, Berisha e cilësoi këtë vendim si të papranueshëm dhe një tregues të kapjes së shtetit nga interesa të dyshimta.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për vendimarrje të motivuar nga lidhje të paligjshme, duke pretenduar se Beqaj është “dhëndri i Troplinëve”, siç i quajti ai në deklaratë, dhe se është “emëruar car i Bregdetit nga Ramaduro”, term i përdorur shpesh nga Berisha për të përshkruar Ramën.
Sipas tij, ky emërim tregon se sipas tij, grupime të lidhura me trafikun e drogës po zgjerojnë ndikimin mbi asetet strategjike të vendit.
“Karteli i Troplinëve pas portit të Durrësit merr të gjithë bregdetin, dhëndri i tyre Xheni Beqaj emërohet nga Ramaduro car i Bregdetit,” shkroi Berisha. Ai shtoi se ky veprim është “dëshmi se droga është vendimarrëse kryesore e Shqipërisë”.
Deklarata e Berishës vjen në një periudhë tensioni të lartë politik, ku opozita ka akuzuar vazhdimisht qeverinë për kapje të institucioneve dhe përfshirje të individëve të afërt me struktura të dyshuara kriminale. Nga ana e saj, qeveria nuk ka komentuar ende mbi akuzat e ngritura.
