Rusia po zhvillon bisedime për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë ekskluzivisht me Shtetet e Bashkuara, deklaroi këshilltari i presidentit rus Vladimir Putin, Yuri Ushakov, gjatë një informimi me gazetarët në Moskë. Ai tha se Moska dhe Washingtoni kanë rënë dakord që kontaktet të mbeten konfidenciale dhe të zhvillohen “pas dyerve të mbyllura”.
Ushakov bëri të ditur se SHBA ka shfaqur gatishmëri të marrë në konsideratë pikëpamjet e Rusisë për një marrëveshje të mundshme, duke e cilësuar këtë si “në përputhje me objektivat tona”. Sipas tij, atmosfera e takimeve ka qenë “konstruktive”.
“Bisedimet janë të detajuara – por tërësisht konfidenciale”
Këshilltari i Kremlinit nënvizoi se palët kanë rënë dakord që detajet të mos bëhen publike, ndërsa konfirmoi se diskutimet kanë qenë të gjera dhe shumë të detajuara, përfshirë edhe reagimet e Rusisë ndaj dokumenteve që Uashingtoni ka paraqitur.
Ushakov shtoi se rezultatet e fundit ushtarake të Rusisë në terren dhe “paaftësia e Volodymyr Zelenskyt për të pranuar realitetet” mund të nxisin një ndryshim të qëndrimit evropian ndaj konfliktit.
Putin diskutoi drejtpërdrejt me delegacionin amerikan
Gjatë takimit të fundit në Kremlin, presidenti Putin zhvilloi bisedime vetëm me delegacionin amerikan, të cilat Ushakov i përshkroi si “të dobishme”. Ai tha se kontaktet do të vazhdojnë dhe se dialogu është qendror për avancimin e negociatave.
Një nga temat kryesore të takimit ishte çështja e anëtarësimit të Ukrainës në NATO, e cila u trajtua gjerësisht mes palëve.
“Rusia nuk po negocion me askënd tjetër”
Ushakov theksoi se Rusia po dialogon vetëm me SHBA-në dhe asnjë palë tjetër nuk është e përfshirë në këtë proces.
“Vetë ukrainasit kanë refuzuar,” – deklaroi ai, duke lënë të kuptohet se Moska nuk ka aktualisht kanale të hapura negociatore me Kievin.
Ai komentoi edhe deklaratat e Putinit për kufijtë, duke thënë se njohja ndërkombëtare e kufijve rusë është më e rëndësishme sesa njohjet individuale të vendeve të veçanta.
“Të gjitha këto çështje janë objekt i negociatave,” – përfundoi Ushakov.
