Skandalet në AKSHI, drejtoresha Mirlinda Karçanaj paraqitet në SPAK për hetimin e 12 tenderave

Data

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, është paraqitur këtë të mërkurë në ambientet e SPAK, ku Prokuroria e Posaçme ka hapur një hetim të gjerë mbi dyshimet për abuzime në 12 tendera të zhvilluar nga institucioni që ajo drejton.

Karçanaj ka hyrë në SPAK e shoqëruar nga avokatja e saj, ndërsa pritet të pyetet në lidhje me procedurat e prokurimit dhe mënyrën e zhvillimit të kontratave të cilat dyshohen se janë përfituar në kundërshtim me ligjin.

SPAK heton tenderat e AKSHI-t pas denoncimeve të PD

Hetimet kanë nisur pas denoncimeve të bëra në fillim të muajit nëntor nga Partia Demokratike, e cila akuzon AKSHI-n për kontrata të dyshimta me vlerë miliona euro, të lidhura përmes procedurave të mbyllura, pa transparencë dhe me negocim pa shpallje.

Sipas PD-së, gjatë periudhës 2018–2025, vetëm për mirëmbajtjen e sistemit të informacionit të shëndetësisë, AKSHI ka shpenzuar 7 milionë euro me TVSH, ndërsa në të gjitha procedurat është shpallur fitues i njëjti operator ekonomik, duke krijuar një monopol në këtë sektor jetik.

Kontratat e dyshuara sipas institucioneve shëndetësore

PD ka publikuar edhe informacion të detajuar për kontratat, të cilat sipas saj:

QSUT

•4 kontrata mirëmbajtjeje: 4.3 milionë euro

•Vitet: 2018, 2020, 2022, 2025

•Vlera është dyfishuar, nga 800 mijë euro (2018) në 1.6 milionë euro (2025)

Spitali Universitar i Traumës

•4 kontrata: 1.8 milionë euro

•Vitet: 2019, 2021, 2023, 2025

•Vlera është rritur nga 300 mijë euro në 888 mijë euro

Spitali “Shefqet Ndroqi”

•3 kontrata: 517 mijë euro

•Vitet: 2019, 2022, 2024

Në total, sipas PD-së, janë 11 kontrata të lidhura pa garë, duke ngritur dyshime serioze për shkelje të ligjit dhe për abuzim me fondet publike.

Pyetjet që PD i drejton SPAK-ut

Partia Demokratike ka kërkuar nisjen e menjëhershme të hetimeve dhe ka ngritur disa pikëpyetje që prekin interesin publik:

•A ka respektuar AKSHI nenin 47 të Ligjit për Prokurimet Publike për përdorimin e procedurës së negocimit pa shpallje?

•Përse janë rritur vlerat e kontratave nga viti në vit ndërsa objekti i shërbimit ka mbetur i njëjtë?

•Pse është përzgjedhur gjithmonë vetëm një operator ekonomik?

•A është reale kostoja e mirëmbajtjes, që sipas PD-së vetëm për QSUT shkon në 81 mijë euro në muaj?

PD: Paratë duhet të shkojnë te pacientët, jo te kontratat e dyshimta

Në deklaratën e saj, PD thekson se ndërsa sistemi shëndetësor vuan mungesa të mëdha të medikamenteve, sidomos në Onkologjik dhe Pediatri, qeveria dhe AKSHI po shpenzojnë miliona euro për kontrata pa garë. Sipas saj, këto fonde duhet të orientohen drejt pacientëve dhe përmirësimit të shërbimit shëndetësor, jo drejt “klientëve të pushtetit”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related