Policia e Lezhës ka ekzekutuar një vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), në bashkëpunim me SPAK-un, duke konfiskuar nëntë pasuri të paluajtshme që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal.
Sipas njoftimit zyrtar, pasuritë e konfiskuara përfshijnë shtatë sipërfaqe toke dhe dy apartamente, të ndodhura në zonat turistike të Shëngjinit, Ishull Shëngjinit dhe Ishull Lezhës, me një sipërfaqe totale prej 33 815 metrash katrorë.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë së Lezhës, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Në njoftimin zyrtar theksohet:
“Në vijim të punës hetimore dhe operacionale për gjurmimin e aseteve kriminale, si dhe në zbatim të vendimit të GJKKO-së të lënë në fuqi nga Apeli i Posaçëm, u konfiskuan 9 pasuri të paluajtshme të përfituara nga veprimtaria kriminale.”
Megjithatë, autoritetet nuk kanë bërë të ditura detajet mbi identitetin e personave që kanë qenë në posedim të këtyre pasurive, të cilat tashmë janë konfiskuar me vendim të formës së prerë.
Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, gjatë dy muajve të fundit, në qarkun e Lezhës janë sekuestruar 29 pasuri me sipërfaqe totale rreth 132 322 metra katrorë, një bilanc që tregon intensifikimin e hetimeve mbi asetet e dyshuara kriminale në veri të vendit.
