Në seancën e sotme plenare, deputeti demokrat Luçiano Boçi akuzoi qeverinë se po hesht përballë skandaleve të rënda korrupsioni dhe se po kufizon hapësirën e deputetëve për të diskutuar çështje me interes publik. Ai u shpreh se shqetësimi kryesor i qytetarëve sot mbetet korrupsioni, ndërsa mazhoranca — sipas tij — “i mbyll sytë para abuzimeve”.
Boçi kërkoi ndryshimin e rregullores së Kuvendit për t’i dhënë deputetëve më shumë kohë diskutimi, duke theksuar se aktualisht pesë minuta nuk mjaftojnë për të adresuar problematikat që prekin komunitetet.
Gjatë fjalës së tij, ai iu referua edhe arrestimit të Federica Mogherinit në Bruksel, e cila është rektore e Kolegjit Evropian — institucion që ka pasur një prani të fortë edhe në Tiranë. Boçi akuzoi qeverinë se e ka promovuar këtë projekt si sukses, ndërkohë që, sipas tij, “tokat e universitetit publik në Tiranë janë rrëmbyer për ndërtimin e tij”.
“Nuk është arrestuar një njeri i thjeshtë, por drejtoresha e Kolegjit Evropian që ju na e keni shitur për vite me radhë si histori suksesi. Pse ia mbyllët mikrofonin Shehajt? Sepse kryeministri po i bën gjyqin drejtësisë që e ka nxjerrë nga sqetulla e vetë,” deklaroi Boçi.
Ai shtoi se qeveria po shmang transparencën dhe po sulmon institucionet e drejtësisë, në vend që t’u japë përgjigje qytetarëve për akuzat mbi korrupsionin dhe për çështje të rëndësishme ekonomike, siç është paketa e paqes fiskale.
Sipas deputetit, edhe kjo paketë financiare, e kundërshtuar nga disa institucione ndërkombëtare, prek drejtpërdrejt xhepat e shqiptarëve dhe përbën një shqetësim madhor kombëtar.
Boçi i kërkoi kryeparlamentarit Niko Peleshi të marrë në konsideratë urgjencën e ndryshimit të rregullores së Kuvendit:
“Si mund të flasim për kaq shumë probleme vetëm me 5 minuta? Duhet të jetë minimumi 10 minuta, siç propozoi edhe Leskaj. Duhet t’u japim zë të gjitha shqetësimeve dhe t’i japim fund teatrit.”
Ai përfundoi duke theksuar se qeveria nuk mund të vazhdojë të injorojë skandalet dhe se Kuvendi duhet të rikthehet në rolin e tij të vërtetë: mbikëqyrjen dhe kontrollin e ekzekutivit.
