Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas arrestimit të Federica Mogherinit nga autoritetet belge, një zhvillim që ka tronditur institucionet evropiane dhe politikën shqiptare. Mogherini, ish-zv.presidentja e Komisionit Europian dhe rektore e Kolegjit të Europës, ishte një figurë e afërt me kryeministrin Edi Rama dhe pritej të vizitonte Tiranën pikërisht ditën e nesërme.
Sipas Berishës, Rama kishte përgatitur tashmë një program për t’i marrë deklarata Mogherinit gjatë vizitës së saj, por ndërhyrja e autoriteteve evropiane ndryshoi gjithçka.
“Ajo zonja që u arrestua, dhe unë e përgëzoj, ajo nesër do ishte në Tiranë. Edi Rama i kishte bërë programin që t’i merrte deklarata, por për fat të mirë Eurojust ia dha deklaratat që meritonte.” – u shpreh Berisha.
Kreu i demokratëve nënvizoi se ky arrestim është një goditje e fortë jo vetëm për Mogherinin, por edhe për kryeministrin Rama, të cilin e akuzoi se ka ndërtuar një sistem të kapur nga krimi, korrupsioni dhe kontrolli mbi mediat.
Berisha tha se paratë e pista dhe ndërtimet pa transparencë kanë shkatërruar tregun, ekonominë dhe besimin e qytetarëve, duke e lënë opozitën të luftojë në një terren të deformuar nga ndikimi i jashtëligjshëm.
Berisha: “Rama sundon me krimin, mediat i ka 90% nën kontroll”
Në vijim të fjalës së tij, ish-kryeministri akuzoi Ramën për kapjen e plotë të shtetit dhe për krijimin e një realiteti të rremë përmes mediave të kontrolluara.
“Mediat u vunë 90% nën kontrollin e qeverisë. Ka helmim mediatik ditë e natë. Qytetarëve u fshihen të vërtetat dhe u serviren gënjeshtrat.”
Ai shtoi se pastrimi i parave dhe pasuria e krimit kanë zënë vend në çdo sektor, duke përmendur edhe kullat në Tiranë:
“Kullat janë të pashitura? Jo! I kanë blerë çunat e drogës dhe i lënë bosh. Janë para toksike që largojnë fëmijët tanë nga Shqipëria.”
Mesazhi politik: “Eurojust i dha Mogherinit atë që meritonte”
Berisha e mbylli duke theksuar se ndalimi i Mogherinit është një sinjal i fortë nga institucionet evropiane për të gjithë ata që kanë ndihmuar dhe justifikuar korrupsionin në Shqipëri.
Ai e quajti një akt të drejtë dhe një provë se “askush nuk i shpëton ligjit, sado i mbrojtur të duket”.
