Avokate në Fier mashtronte klientët me procese të rreme gjyqësore, dërgohet për gjykim pas dhjetëra kallëzimeve

Data

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasen A.B., e cila akuzohet për mashtrim të kryer në mënyrë të përsëritur. Avokatja dyshohet se ka përfituar shuma të konsiderueshme parash nga disa persona, duke u premtuar përfaqësim ligjor, megjithëse nuk ka hapur asnjë proces gjyqësor dhe nuk ka kryer asnjë veprim procedural.

Hetimi për këtë çështje nisi me procedimin penal nr. 181 të datës 16.03.2018, pas një sërë denoncimesh të bëra nga qytetarë të ndryshëm. Për shkak të numrit të madh të kallëzimeve, Prokuroria ka bashkuar edhe dosjet e viteve 2019–2021, ku A.B. rezulton e denoncuar për skema të ngjashme mashtrimi.

Sipas Prokurorisë, avokatja përdorte gënjeshtrën për të marrë para nga klientët me pretendimin se këto shuma ishin të nevojshme për çështjet e tyre gjyqësore. Në realitet, ajo as nuk i hapte proceset dhe as nuk ndërmerrte veprimet administrative apo procedurale të pretenduara. Në disa raste, për të krijuar besueshmëri, A.B. u ka dorëzuar personave dokumente të falsifikuara që nuk pasqyronin aspak situatën reale.

Një element i përbashkët i viktimave ishte fakti se shumë prej tyre jetonin jashtë vendit dhe nuk e kishin të mundur të ndiqnin nga afër çështjet e tyre, duke rënë kështu më lehtë pre e mashtrimit.

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria ka ngritur ndaj të pandehurës akuzat:

  • “Mashtrim”, kryer më shumë se një herë, në dëm të shtetasve A.S., K.S., O.Sh. dhe D.L., sipas nenit 143/2 të Kodit Penal;
  • “Mashtrim me pasoja të rënda”, në dëm të shtetasit M.Sh., sipas nenit 143/3 të Kodit Penal;
  • “Falsifikim dokumentesh”, sipas nenit 186/3 të Kodit Penal.

Prokuroria e Fierit shprehet se mbetet e angazhuar në hetimin e plotë të veprave që prekin pasurinë dhe të drejtat ekonomike të qytetarëve dhe në vënien përpara përgjegjësisë të autorëve të tyre.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related