Dubrovniku “mbytet” nga mbeturinat: Kroacia akuzon Tiranën — “Shqipëria burimi i ndotjes në Adriatik”

Data

Rrymat e forta detare në Adriatik kanë sjellë sërish në bregdetin e Dubrovnikut një sasi të konsiderueshme mbeturinash, të cilat, sipas autoriteteve kroate, vijnë kryesisht nga Shqipëria. Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh në një prej zonave më të njohura turistike të Kroacisë dhe ka provokuar reagime të ashpra ndaj Tiranës zyrtare.

Sipas raportimit të New York Times, dy nga pikat më të frekuentuara të Dubrovnikut — Plazhi i Banjës dhe zona pranë Qytetit të Vjetër — u përmbytën gjatë javës së kaluar nga një masë plastike, metalesh, qesesh, ambalazhesh dhe madje edhe mbetjesh mjekësore. Pastrimi i vijës bregdetare kërkoi 2 deri në 3 ditë punë intensive.

Autoritetet vendase shpjeguan se fenomeni përsëritet çdo herë që fryjnë erëra të forta jugore, të cilat shtyjnë drejt Kroacisë mbeturinat që dalin në det nga territori shqiptar. Bazuar në etiketat, gjuhën e shkrimeve dhe analizat e materialeve të gjetura, pjesa dërrmuese e mbetjeve vijnë nga Shqipëria.

Kjo situatë po dëmton rëndë imazhin e Dubrovnikut — një qytet me vetëm 42 mijë banorë, por me mbi 4.5 milionë netë qëndrimi turistësh në vit. Plastika mbetet problem madhor, aq sa në vitin 2020 qyteti nënshkroi një marrëveshje për uljen e ndotjes plastike në bregdet.

Zyrtarët kroatë janë shprehur se komunikojnë vazhdimisht me autoritetet shqiptare për çështjen e ndotjes, madje kanë ofruar edhe mbështetje financiare për menaxhimin e mbetjeve.

“Ne e dimë nga vijnë mbeturinat,” deklaruan institucionet kroate, duke nënvizuar se ajo që shfaqet në sipërfaqe është vetëm një pjesë e problemit — një përqindje edhe më e madhe e mbetjeve, sipas tyre, fundosen dhe mbeten në shtratin e detit.

Ndërkohë, presioni diplomatik ndaj Tiranës po rritet, pasi Dubrovniku konsiderohet një nga margaritarët e Adriatikut, dhe përsëritja e këtij fenomeni rrezikon të prekë rëndë turizmin kroat dhe mjedisin detar në të gjithë rajonin.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related