Një shqiptar rrezikon deri në një vit burg dhe një gjobë prej 1.600 eurosh, pasi akuzohet se në janar të vitit 2023 u fut me thyerje në banesën e ministres flamande të Belgjikës, Zuhal Demir, në qytetin Genk. Rasti u gjykua këtë të hënë në Tongeren, ku u zbardhën detaje të pazakonta të vjedhjes — përfshirë edhe faktin se autori u identifikua falë gjurmëve të ADN-së të lëna mbi një “derrkuc kursimesh”.
Sipas prokurorisë, më 7 janar 2023, shqiptari kaloi rrethimin e banesës dhe hyri brenda përmes një dritareje. Ai kontrolloi të gjitha dhomat, por arriti të marrë vetëm 50 euro nga një kuti kursimesh. Edhe pse dëmi financiar ishte minimal, prokurori theksoi se vjedhja e banesës së një përfaqësuese të qeverisë rrit ndjeshëm shqetësimin për sigurinë personale.
Hetuesit e identifikuan autorin përmes gjurmëve të ADN-së së zbuluar në vendin e ngjarjes. Ai rezultoi i njohur për autoritetet, pasi më parë ishte dënuar për vjedhje të ngjashme të kryera në janar dhe shkurt 2024, për të cilat kishte marrë tre vite burg. Po ashtu, ai figuron në dosje edhe në Gjermani e Spanjë për vepra të tjera penale.
Pavarësisht natyrës së përsëritur të vjedhjeve, avokatja e të pandehurit kërkoi një dënim të unifikuar me atë të mëparshmin ose thjesht një deklarim fajësie, duke argumentuar se çështja është trajtuar me vonesë dhe se klienti i saj e ka ndryshuar jetën.
“Ai erdhi në Belgjikë si bojaxhi, kërkoi të punësohej, por përfundoi në shoqëri të keqe që e shtyu drejt vjedhjes. Tani jeton në Shqipëri me familjen, punon dhe është larguar nga ajo rrugë. Nuk ka arsye të sillet mbrapsht në Belgjikë për një burg shtesë,” deklaroi ajo.
Shqiptari u lirua muajin e kaluar me kushte dhe tashmë është kthyer në Shqipëri. Për shkak të ndalimit të hyrjes në territorin e BE-së, ai nuk ishte i pranishëm gjatë seancës gjyqësore.
Ministrja Zuhal Demir nuk u paraqit si palë civile në proces.
Vendimi i gjykatës pritet të jepet më 5 janar.
