Leao vendimtar, Milani mposht Lazion dhe ngjitet në krye të Serisë A

Data

Milani ka marrë një fitore të rëndësishme 1-0 ndaj Lazios në “San Siro”, në ndeshjen e javës së 13-të në Serinë A, rezultat që e ngjit skuadrën kuqezi në krye të renditjes – të paktën deri në zhvillimin e supersfidës Roma–Napoli të së dielës.

Pjesa e parë ishte e vështirë për skuadrën e Allegri-t, që u vu disa herë në rrezik nga kundërshtarët. Mike Maignan u konfirmua sërish si një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit, me pritje vendimtare që mbajtën Milanin në lojë.

Në fraksionin e dytë, Milani ndryshoi fytyrë dhe rriti ndjeshëm ritmin. Presioni i kuqezinjve dha efekt të menjëhershëm: një aksion i shpejtë në krahun e majtë, i ndërtuar nga Tomori, u finalizua nga Rafael Leao me një zhytje të saktë pranë portës, duke zhbllokuar rezultatin herët në pjesën e dytë.

Pas golit, Milani kontrolloi lojën me qetësi, ndërsa minutat e fundit sollën tension. VAR-i u aktivizua për një prekje të mundshme me dorë nga Pavlović në zonë, duke sjellë protesta nga të dy pankinat. Në fund, arbitri Collu anuloi penalltinë për një faull paraprak të Marušić ndaj mbrojtësit serb. Si pasojë e protestave, u përjashtuan nga pankina trajneri i Milanit, Allegri, dhe zëvendëstrajneri i Lazios, Ianni.

Me këtë fitore, Milani regjistroi ndeshjen e 12-të radhazi pa humbje dhe i jep vetes moral të lartë për vazhdimin e kampionatit. Tashmë, sytë janë drejt “Olimpico”-s, ku rezultati i përballjes Roma–Napoli do të vendosë nëse kuqezinjtë do ta mbajnë kreun e renditjes edhe pas kësaj jave.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related