Një vit pas shpërthimit të fuqishëm në akuaduktin e Ibër-Lepencit, në fshatin Varragë të Zubin Potokut, rrethanat dhe autorët e sulmit mbeten ende të paqartë. Megjithatë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti – tashmë në detyrë – ka akuzuar drejtpërdrejt Serbinë për përfshirje në planifikimin dhe financimin e këtij akti që ai e cilëson “sulm terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës”.
Në një postim të publikuar në Facebook, Kurti rikujtoi se shpërthimi i 29 nëntorit 2024 synonte dëmtimin e rrjetit të furnizimit me ujë dhe energji të vendit, duke e krahasuar atë me sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
Ai theksoi se gjatë bastisjeve të kryera në veri, autoritetet kishin sekuestruar armë, uniforma dhe pajisje që mbanin simbole të inteligjencës dhe ushtrisë ruse e serbe. “Këto janë dëshmi të qarta për përfshirjen e grupeve ekstremiste dhe terroriste serbo-ruse, të lidhura ngushtë me Beogradin,” shkroi Kurti.
Rreziku nga sulmi
Sipas Kurtit, shpërthimi kishte për qëllim të:
- ulte me 60% prodhimin e energjisë elektrike,
- ndërpriste furnizimin me ujë në Mitrovicë, Skenderaj, Drenas, Vushtrri, Fushë-Kosovë dhe gjysmën e Prishtinës,
- ndalte ngrohtoren qendrore të kryeqytetit,
- përgjysmonte kapacitetet telekomunikuese në vend.
Kurti tha se reagimi i shpejtë i institucioneve dhe ndërmarrjeve publike shmangu “pasoja katastrofike”, duke siguruar rrjedhje të mjaftueshme të ujit për ftohjen e termoelektranave dhe furnizimin e konsumatorëve.
Rindërtimi në kohë rekord
Akuadukti i dëmtuar u rindërtua brenda vetëm një muaji, duke rikthyer sistemin në kapacitete të plota operative. Sipas Kurtit, kjo tregon “aftësinë e lartë reaguese të institucioneve shtetërore dhe fitoren e shtetit ndaj grupeve ekstremiste”.
Akuzat ndaj Serbisë
Duke e cilësuar sulmin si pjesë të një strategjie më të gjerë destabilizuese, Kurti tha se grupet që vepruan në Ibër-Lepenc “mbështetjen dhe financimin e gjejnë në Beograd, ndërsa inspirimin dhe metodat i marrin nga Rusia”.
Një vit pas ngjarjes, megjithëse hetimet vazhdojnë, askush nuk është zyrtarisht i akuzuar dhe autoritetet nuk kanë publikuar prova konkrete që lidhin drejtpërdrejt grupe apo individë.
