Pezullim i menjëhershëm: SHBA ndal vendimet për azil pas sulmit ndaj Gardës Kombëtare

Data

Administrata amerikane ka pezulluar urgjentisht marrjen e vendimeve për kërkesat për azil, pasi dy pjesëtarë të Gardës Kombëtare në Uashington DC u qëlluan me armë zjarri gjatë një incidenti të rëndë. Lajmi u bë i ditur nga drejtori i Shërbimeve të Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA-së (USCIS), Joseph Edlow, i cili njoftoi masën e re përmes një deklarate publikuar në platformën X.

Sipas Edlow, pezullimi do të qëndrojë në fuqi “derisa të sigurohemi që çdo i huaj të verifikohet dhe të skanohet në shkallën maksimale të mundshme”, duke nënvizuar se prioritet mbetet siguria kombëtare dhe integriteti i procesit të imigracionit.

Ky vendim u mor vetëm disa orë pasi Presidenti Donald Trump u zotua publikisht se do të ndalojë përgjithmonë migrimin nga të gjitha vendet e botës së tretë, duke e lidhur drejtpërdrejt me ngjarjen kriminale që goditi Gardën Kombëtare.

Ngjarja që nxiti reagimin e menjëhershëm të autoriteteve ka të bëjë me vdekjen e një anëtareje të Gardës Kombëtare, e plagosur rëndë gjatë të shtënave të së mërkurës. Për incidentin, autoritetet kanë vënë nën akuzë një shtetas afgan.

Megjithatë, edhe pse vendimet përfundimtare për azil janë pezulluar, oficerëve të USCIS u është lejuar të vijojnë shqyrtimin e aplikimeve deri në momentin final të procesit. Udhëzimi i brendshëm i dërguar agjentëve thekson qartë:

“Pasi të keni arritur te momenti i marrjes së vendimit, ndalo dhe prit.”

Kjo do të thotë se rastet mund të dokumentohen, intervistohen dhe analizohen, por çdo miratim ose refuzim do të shtyhet derisa të jepet një urdhër i ri.

Situata mbetet e tensionuar, pasi vendimi i administratës pritet të ndikojë mijëra aplikantë të azilit dhe të hapë një debat të ri mbi politikat e imigracionit në SHBA.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related