Eksperti dhe pedagogu i ekonomisë, AzmiStringa, ka ngritur alarmin për krizën e skemës së pensioneve në Shqipëri, duke theksuar se vendi po përballet sot me pasojat e 30 viteve keqmenaxhim dhe mungesë formalizimi. Sipas tij, formula e llogaritjes së pensioneve ka nxjerrë në pah një realitet të ashpër, shumë qytetarë që sot kanë arritur moshën e tretë, nuk kanë paguar ose nuk iu janë hedhur kontributet, duke mbetur me pensione minimaliste.
Në një intervistë për “Vizion Plus”, ai theksoi se pavarësisht rritjeve të shpallura, pensionet në terma realë kanë mbetur thuajse 0%, ndërsa skema si e tillë është në vështirësi serioze. Po ashtu, eksperti i ekonomisë, Azmi Stringa, gjatë intervistës me moderatoren Pranvera Borakaj ka ngritur alarmin për nivelin e lartë të çmimeve në Shqipëri, të cilat sot kanë arritur mesatarisht 100% të nivelit të Bashkimit Europian, ndërkohë që të ardhurat për frymë në vend mbeten më pak se një e treta e mesatares së BE-së. A. Stringa theksoi se shqiptarët përballen me çmime më të larta se vende si Spanja dhe Holanda, ndërkohë që rritja e kostove vijon prej vitesh, edhe para pandemisë.
Sipas tij, Shqipëria ndjek në mënyrë “perfekte” trendin e rritjes së çmimeve në BE, por çdo rritje europiane reflektohet edhe më fort në tregun vendas. Shkaku, sipas ekspertit, lidhet me problemet strukturore të ekonomisë, përfshirë shkatërrimin e bujqësisë dhe mungesën e një tregu të qëndrueshëm. Ndërkohë, kursi i këmbimit ka rënë me 35%, duke e bërë situatën edhe më të rëndë për konsumatorin shqiptar.
