Gjykata Kushtetuese ka vendosur që të marrë në shqyrtim në seancë plenare çështjen që ka hapur një prej polemikave më të ndezura politike të vitit: dekretimin nga Presidenti Bajram Begaj të të ashtuquajturës ministre “algoritëm”, “Diella”, një strukturë virtuale e inteligjencës artificiale. Padia e Partisë Demokratike, që ka cilësuar vendimin presidencial si një “karagjozllëk institucional” dhe e ka etiketuar Presidentin si “ushtari i mazhorancës”, ka vënë në lëvizje organin më të lartë kushtetues të vendit.
Sipas PD-së, dekreti i Presidentit për shtimin e një ministrie të re me profil virtual tejkalon qartësisht kufijtë që i njeh Kushtetuta dhe përbën, sipas tyre, një tentativë për të krijuar struktura qeverisëse përmes rrugëve jashtë kontrollit parlamentar. Opozita argumenton se, edhe pse inovacioni teknologjik është i mirëpritur, ai nuk mund të përdoret si justifikim për të anashkaluar Kuvendin, i cili sipas ligjit themeltar është i vetmi organ që mund të krijojë e shfuqizojë ministri. Gjykata Kushtetuese, pasi shqyrtoi materialet paraprake, konstatoi se çështja përmban elementë që meritojnë trajtim të plotë publik dhe vendosi kalimin e saj në seancë plenare.
