Kreu i Partisë Demorkatike, Sali Berisha, deklaroi dje gjatë një konference për mediat, se vonesa e analizës së zgjedhjeve të 11 majit erdhi për shkak të pritjes së raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR. Ai akuzoi qeverinë Rama për përpjekje për të ndikuar raportin dhe për “grabitje të zgjedhjeve”, ndërsa theksoi se PD ka paraqitur qindra dokumente që, provojnë farsën elektorale. Berisha u shpreh se zgjedhjet janë dënuar edhe nga faktori ndërkombëtar dhe se PD tashmë ka nisur diskutimet në bazë për ringritjen e partisë dhe përgatitjen për “betejën kundër narkoshtetit”.
“Siç e kam shpjeguar dhe e shpjegoj prap, megjithëse kjo pyetje, për fat të keq, por unë nuk mund të kufizoj gazetarët në pyetje, siç bën ai tjetri, nuk ka lidhje me temën që dola, por unë po i përgjigjem. Absolutisht është deklaruar haptas në mënyrë transparente, se vonesa e analizës, e diskutimit në parti për farsën elektorale dhe grabitjen e zgjedhjeve, ka pasur vetëm një shkak madhor, dhe ky shkak ka qenë pritja e publikimit të raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR. Pra ka qenë, njëkohësisht përpjekja jonë e jashtëzakonshme që Edi Rama të ndikonte dot në ndryshimin e raportit paraprak fillestar, siç u angazhua ai me të gjithë potencialin e qeverisë dhe propagandës së tij.
Ka qenë paraqitja para publikut shqiptar dhe ju jeni dëshmitar, që nga data 15 maj dhe pas, çdo ditë të fakteve dhe dokumenteve të pakundërshtueshme të cilat rrëzonin, ose faktonin për çdo shqiptar dhe botën, farsën elektorale të 11 majit. A ia dolëm ne këtu? Ne ja dolëm plotësisht. Tani, Sali Berisha ka deklaruar me dhjetëra e dhjetëra herë para shqiptarëve, dy gjëra. Së pari, me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Së dyti, unë do të mbroj votën. Kam deklaruar do të mbroj votën. PD do të mbrojë votën dhe PD e mbrojti votën. Nuk mbrohet vota me kallashnikov, vota u damkos si farsë. U rreshtuan në komunitetin ndërkombëtar një e nga një, të gjithë ata faktorë antikushtetues, antidemokratik, të gjitha ato ndërhyrje që shkelën në mënyrë flagrante dokumentet ndërkombëtare, për zgjedhjet e lira, parimin e zgjedhjeve të lira.
