Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar ditën e djeshme nga selia blu kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për t’u pyetur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) si person që ka dijeni për krimin shtetëror të 21 janarit. Ndërsa vijoi të hedhë akuza ndaj kryeministrit Rama duke e quajtur organizator të protestës, Berisha mori në mbrojtje edhe Ilir Metën duke thënë se audio e tij me Dritan Priftin ishte e manipuluar. Kreu i PD ka rrëfyer bisedën në zyrën e tij me Dritan Priftin, pak ditë pasi ky i fundit të publikonte një video përgjim të tij me Ilir Metën në zyrën e ministrit të Energjetikës. Berisha tha se Dritan Prifti i kishte kërkuar që ta emëronte në një detyrë tjetër të rëndësishme, pasi kishte një regjistrim. Berisha tha në fjalën e tij, se i ka thënë që të nxjerrë sapo të dalë nga zyra e tij, pasi sipas tij nuk e merrte dot njeri peng.
“Dihet se Rama për të organizuar 21 janarin, manipuloi dhe falsifikoi me Filip Çakullin një regjistrim të marrë nga i ndjeri Dritan Prifti sipas të cilit, ilir meta ishte paguar 700 mijë euro nga një biznesmen që kërkonte të drejtën e tij. Berisha kryeministër, së pari i ishte kërkuar nga dëgjuar Prifti që ta emëronte në një detyrë tjetër të rëndësishme, se ka një regjistrim, fjala ime ishte kjo nxirre sapo të dalësh nga dera e zyrës sime. S’më merr dot kush peng. Ka patur një shkresë të firmosur pronari i një kompanie që kishte fituar me gjyq koncesionin e një hidrocentrali. Qeveria ia kishte dhënë një kompanie tjetër dhe ky zotëri shkruante se nga moszbatimi i vendimit të gjykatës kompania ime ka humbur 700 mijë euro. Meta i thotë priftit se duhet zbatuar vendimi i gjykatës se i është bërë dëmi 700 mijë euro kompanisë. Rama dhe Çakulli marrin fjalë me copy paste me 28 herë në video dhe nxjerrin sikur Meta i ka thënë se kemi marrë 700 mijë euro. Cilido që do të hetojë këtë çështje, që këtu mendoj se e ka të qartë se ishte pjesë e skenarit të dhunës më 21 janar. Skenarist del Rama. Me datë 14 ose 15 janar, ka ardhur në zyrën time dhe më ka thënë do jap dorëheqjen, se unë në prokuroi nuk shkoj si zv/kryeministër, por si qytetar i thjeshtë. Një skenar i dhunshëm natyrisht i paprecdentë ndonjëherë, por me ato që kam konstatuar masa ishin marrë, kështu që nuk di ndonjë përgjegjësi”, tha Berisha.
Prapaskenat kur Meta akuzonte Berishën për videon e famshme
Ilir Meta dhe Sali Berisha prej disa vitesh kanë vendosur që të mbyllin gojën për akuzat e llahtarshme që kanë bërë në drejtim të njëri-tjetrit, duke u afruar bashkë në një front kundër të gjithëve. Edhe pse e kaluara e tyre është dominuar me disa përballje të forta, veçanërisht që pas miratimit të reformës në drejtësi, dy politikanët kanë vendosur që të bëhen bashkë dhe të mos flasin për “të dhënat” që dinë për njëri-tjetrin. Përplasja e fortë e fundit mes tyre është zhvilluar në vitin 2015, kur Ilir Meta ishte kryetar parlamenti dhe në qeveri me kryeministrin Edi Rama. Pas katër vitesh në koalicion me PD-në, kulmi i thyerjes mes tyre ndodhi në mars 2015 ku Berisha e akuzonte Metën se kishte porositur vrasjen e dy deputetëve, ndërsa Meta, nën trysninë e akuzave tronditëse, shantazhoi Berishën duke dhëna detaje mbi një video komprometuese të Shkëlzenit, djalit të ish-kryeministrit. Në një seancë parlamentare të dominuar nga kaosi, Berisha i kërkoi Metës të jepte dorëheqjen duke e quajtur “kokë e qelbur” dhe të “lidhur me krimin”.
Pas shpërthimit në akuza të ish-kryeministrit, i cili kishte bllokuar foltoren, Ilir Meta kaloi në mbrojtje dhe fillimisht kërkoi “që doktorit t’i jepeshin ilaçet”. Ndërsa debati ndizej dhe akuzat zgjeroheshin, ish-kryeparlamentari i asaj kohe futi në lojë edhe djalin e Sali Berishës, Shkëlzenin, për të cilin tha se e kishte dhënë njëherë dorëheqjen në vitin 2011. Meta foli për një video të papublikuar, ku Shkëlzen Berisha ishte në filmimet e Dritan Priftit, një ‘bombë’ që tronditi ish-kryeministrin. Meta i kujtoi në sallë Berishës, bisedën që ata kishin bërë për Shkëlzen Berishën, ku ish-kryeministri i ishte ankuar duke thënë për të birin “shiko se çfarë më ka bërë ky budallai”. “E kam dhënë dorëheqjen njëherë për Zenin, nuk është faji im që të kërcënon Dritan Prifti me video për Zenin . Ti e di mirë Doktor që Shkëlzeni ka qenë tek videoja e Priftit, ti e di shumë mirë. Ti vetë më the, shiko se çfarë më ka bërë ky budallai. Vetë më ke thënë. Vazhdo merr akoma mend nga Shkëlzeni, çfarë të bëj unë ty.”, deklaronte Meta në mars 2015. Por ndërsa Meta vijoi të japë detaje për skandalin e Shkëlzen Berishës, ish-kryeministri ndali sulmin ndaj kryeparlamentarit. Kaq mjaftoi që Berisha të qetësohej dhe ta mbyllnin këtë temë, duke lënë të pasqaruar videon për të cilën bëhet fjalë. Sot natyrisht ata janë sërish bashkë, kundër SPAK, qeverisë dhe shpesh herë edhe ndërkombëtarëve, duke mos folur më për akuzat që kanë artikuluar publikisht ndaj njëri-tjetrit. Ish-kryeministri që dikur kërkonte dorëheqjen e Metës, sot është kthyer në “pikën e dobët” të presidentit.
