Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka hapur një dosje të re për zv/kryeministren Belinda Ballukun dhe ish-kreun e Tatimeve, aktualisht deputet të PS, Ceno Klosi. Procedimi penal është regjistruar mbi bazën e kallëzimit penal të depozituar nga Adriana Kalaja e cila kërkoi fillimin e hetimit pasuror për Belinda Ballukun dhe Ceno Klosin.
Kalaja akuzon Klosin dhe Ballukun për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv”, ndërkohë që zv.kryeministren e pezulluar tashmë nga drejtësia e akuzon edhe për “shkelje të barazisë në tendera”. SPAK sqaron se materiali kallëzues shtesë ardhur dhe protokolluar më datë 16.09.2025, në lidhje me këtë kallëzim është administruar në kuadër të procedimit penal Nr.95, viti 2025. “Prokuroria e Posaçme ka njoftuar se është regjistruar procedimi penal me Nr.95, viti 2025, mbi bazën e kallëzimit penal të depozituar nga shtetasja Adriana Kalaja kundër shtetasve Belinda Balluku, Ceno Klosi etj. Materiali kallëzues shtesë ardhur dhe protokolluar më datë 16.09.2025, në lidhje me këtë kallëzim është administruar në kuadër të procedimit penal Nr.95, viti 2025. Ky procedim penal është në fazën e hetimeve paraprake”, thotë SPAK.
Detajet nga kallëzimi
Sipas kallëzimit, kompanitë e lidhura me personat e kallëzuar, si “ORHER” sh.p.k dhe “SEAN” sh.p.k, dyshohet se kanë qenë pjesë e një skeme financiare të dyshimtë, me fitime të paligjshme dhe shpërdorim detyre, për të favorizuar interesat e personave të caktuar. Dokumenti përmend edhe përfitime të dyshimta të aksioneve, huamarrje dhe marrëveshje biznesi midis të kallëzuarve dhe personave të lidhur me ta.
Kalaja i ka kërkuar SPAK nisjen e hetimeve për personat e mëposhtëm: – Ceno Klosi, Deputet (ish Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve deri në marrjen e kësaj detyre). – Genti Klosi, vëllai i zv/Ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. – Mirel Mjekra, aksionere themeluese e shoqërisë “ORHER” sh.p.k me NUIS M02423011U. – Sara Korreshi e datëlindjes 1997, aksionere themeluese e shoqërisë “ORHER” sh.p.k me NUIS M02423011U. – Maria Mino e cila në vitin 2021 ka qenë e punesuar si menaxhere lokali pranë kompanisë “T.O.V 2019” sh.p.k, sot: Administratore e shoqërisë “ORHER” sh.p.k; Administratore e shoqërisë “ART 2023” sh.p.k; “MARIA MINO”, Person Fizik. – Taulant Hoxha, themelues i kompanisë “SEAN” sh.p.k, me NUIS M11829504Q. – Oliver Ushina, Administrator i i kompanisë “SEAN” sh.p.k. – Aulona Gaxhenji, ortake e shoqërisë “ORHER” sh.p.k. – Julian Dhima, themelues i Shoqërisë “Finvest” sh.p.k. – Ernola Zenunllari, administratore e Shoqërisë “Finvest” sh.p.k. – Anesti Rista, aksioner i kompanisë “TEA CO” sh.p.k. – Antigoni Çobo, aksionere e kompanisë “TEA CO” sh.p.k. – Teuta Rista, bashkëshortja e Anesti Rista, aksioner i kompanisë “TEA CO” sh.p.k.”.
