Britania ashpërson ligjin e emigracionit: Shqiptarët rrezikojnë heqje shtetësie dhe ndalim rikthimi

Data

Qeveria laburiste e kryeministrit, Sir Keir Starmer prezanton sot ndryshimet më të ashpra në ligjin e emigracionit, me ndikim të drejtpërdrejtë te shqiptarët që jetojnë ose punojnë në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët rrezikojnë të largohen nga Anglia. Sipas projektligjit, sekretarja e Brendshme Shabana Mahmood do të paraqesë masa që përfshijnë heqjen e nënshtetësisë britanike për personat që e kanë fituar atë nëpërmjet mashtrimit. Ligji i ri parashikon gjithashtu ndalimin e rikthimit me vizë për shqiptarët që largohen vullnetarisht ose dëbohen nga Britania. Rregulli i vjetër që mbronte shtetasit e naturalizuar përmes amnistisë 2003–2006, pavarësisht mashtrimit, do të shfuqizohet. Çdo person që njoftohet për nisjen e procedurës për heqjen e shtetësisë do të ketë vetëm 14 ditë për të apeluar.

Prapaskenat

Këto ndryshime vijnë në një kohë kur qeveria laburiste ndodhet nën presion politik nga opozita konservatore dhe nga Nigel Farage, lider i partisë Reformë UK. Prezantimi i ligjit ka shkaktuar shqetësim të madh në komunitetin shqiptar dhe tek autoritetet shqiptare. Kryeministri Edi Rama ka kritikuar ashpër këto masa, duke e cilësuar situatën pas Brexit si “shumë të errët” për emigrantët dhe për marrëdhëniet bilaterale. Në intervistën e tij të parë për median ndërkombëtare pas fitores së mandatit të katërt, Rama tha se ideja që Britania të kërkojë vende ku të dërgojë emigrantët “do të ishte e paimagjinueshme një dekadë më parë”. Ai shtoi se diskursi publik në Britani ka ndryshuar, dhe se gjëra që më parë do të konsideroheshin qesharake apo turpshme, tani pranohen si normale.

Plani për “qendrat e kthimit”, i shpallur muajin e kaluar nga Starmer, parashikon përpunimin e kërkesave të azilkërkuesve të refuzuar në vende të treta. Vizita e Starmer në Ballkan kishte për qëllim vendosjen e marrëdhënieve dypalëshe mbi një themel të ri, por Rama deklaroi se Shqipëria nuk do të bëhej pjesë e këtij skeme. Ai e vlerësoi vizitën si mundësi për dialog, por refuzoi të pranonte që vendi i tij të përdorej si “qendër kthimi” për emigrantët. Nën qeveritë konservatore të mëparshme, marrëdhëniet me Mbretërinë e Bashkuar ishin tensionuar për shkak të emigracionit të paligjshëm dhe akuzave për rritje kriminaliteti mes shqiptarëve. Rama tha se nuk është vetëm çështje politike, por edhe çështje dinjiteti kombëtar. Në sfond, tensionet me Nigel Farage janë rikthyer në qendër të vëmendjes.

Farage pretendoi se një shqiptar në çdo 50 ndodhet në burg në Britani, ndërsa Rama reagoi duke thënë se nëse kjo është e vërtetë, ai është i gatshëm t’i marrë të gjithë në Shqipëri. Farage ndryshoi më pas shifrat, duke pretenduar se shqiptarët në burg janë një në çdo 48 dhe kërkoi që Shqipëria t’i pranojë përsëri. Rama kundërshtoi sërish, duke sqaruar se shifrat reale janë një në çdo 100, pasi komuniteti shqiptar në Angli është 140 mijë dhe jo 53 mijë, siç pretendonte Farage. Kjo përplasje ka rindezur debatet mbi imigracionin dhe perceptimin e shqiptarëve në Britani. Ndërkohë, ligji i ri britanik vazhdon të prodhojë shqetësime të mëdha për shqiptarët, të dëbuarit dhe ata që synojnë të marrin vizë të rregullt për në Mbretërinë e Bashkuar. Analistët paralajmërojnë se ndryshimet do të kenë pasoja të drejtpërdrejta dhe të menjëhershme për mijëra persona në komunitetin shqiptar. Në këtë kontekst, Rama mbetet i vendosur të mbrojë qytetarët e tij dhe të kundërshtojë çdo politikë që e cenon dinjitetin e emigrantëve shqiptarë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related