DW: Shqipëria – i vetmi vend i rajonit ku rrjeti i Sorosit nuk sfidohet, por integrohet në pushtet

Data

Ndërsa në gjithë Europën Juglindore po ngrihen barriera institucionale, politike dhe ligjore kundër ndikimit të George Sorosit dhe rrjetit të tij të Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur, Shqipëria paraqitet si përjashtimi i vetëm ku pushteti politik jo vetëm nuk e sfidon këtë influencë, por sipas opozitës dhe analizës së Deutsche Welle e ka shndërruar atë në pjesë të arkitekturës së qeverisjes së Edi Ramës. Në një analizë të gjerë mbi vendet e ish-bllokut komunist, Deutsche Welle e cilëson Shqipërinë si “rast të veçantë”, ku ndryshe nga fqinjët, narrativën kritike ndaj Sorosit e përdor vetëm opozita, ndërsa qeveria e Ramës e ka pranuar dhe integruar ndikimin e tij në proceset kyçe shtetërore.

Rasti bullgar

Në Bullgari ka një hetim parlamentar kundër Sorosit, gjë që në Shqipëri është e paimagjinueshme. Oligarku me ndikim Delian Peevski arriti të sigurojë shumicën parlamentare për të ngritur një komision të posaçëm që do hetojë aktivitetet e George dhe Alexander Soros dhe të gjithë organizatave të financuara prej tyre. Ky komision do të dokumentojë se kush ka marrë para nga rrjeti Soros, për çfarë aktivitetesh dhe me çfarë ndikimi politik. Pavarësisht se aktualisht nuk ekzistojnë pasoja ligjore për organizatat e financuara, fakti që një vend anëtar i BE-së ndërmerr një hetim të tillë tregon shkallën e dyshimit dhe refuzimit që elitat politike të rajonit kanë ndaj ndikimit Soros.

Hungaria, Origjina e fushatave anti-Soros

Modeli i konfrontimit politik me Sorosin lindi në Hungari, ku qeveria e Viktor Orbanit nisi që në vitin 2013 të publikojë listat me organizatat që merrnin fonde nga OSF.
Kulmi erdhi me paketën “Stop-Soros” në vitin 2018, e cila përpiqej të godiste financiarisht OJF-të kritike ndaj qeverisë. Edhe pse më vonë kjo paketë u shpall e paligjshme nga Gjykata Europiane, efekti politik mbeti i fortë. Prej andej, narrativa anti-Soros u përhap në të gjithë rajonin.

Maqedonia e Veriut: Lëvizja “Stop-Operacionit-Soros”

Në vitin 2017 në Shkup u krijua një lëvizje e posaçme kundër rrjetit Soros, e inspiruar drejtpërdrejt nga modeli hungarez. Ish-kryeministri Nikola Gruevski e akuzonte publikisht Sorosin se financonte lëvizjet civile kundër korrupsionit që e detyruan atë të largohej nga pushteti.

Polonia dhe Slovakisë: narrativa anti-Soros pjesë e politikës shtetërore

Në Poloni, partia nacional-konservatore PiS e ndërtoi një pjesë të retorikës së saj elektorale mbi akuzat se “rrjeti Soros” destabilizonte shoqërinë polake. Edhe presidenti i zgjedhur në qershor 2025, Karol Navrocki, e përdori hapur këtë narrativë duke akuzuar kundërshtarët e tij se financoheshin nga fondacionet gjermane dhe Sorosi. Në Sllovaki, qeveria e Robert Fico miratoi një ligj të ri që detyron OJF-të të deklarojnë burimet e financimit – një hap që u justifikua nga akuzat se Sorosi po ushtronte ndikim të fshehtë në politikën vendase.

Serbia: Sorosi si “agjent i huaj”

Në Serbi, narrativa pro-qeveritare i prezanton prej vitesh protestat civile si “lëvizje të sponsorizuara nga Sorosi”. Mediat pranë Vuçiçit publikojnë herë pas here artikuj sensacionalistë ku Shqipëria paraqitet si “baza nga ku Sorosi destabilizon rajonin”.

Por Shqipëria? Rasti i vetëm ku Sorosi nuk përzihet: ai komandon

Sipas Deutsche Welle, në të gjithë rajonin aktorët politikë – djathtas apo majtas – po distancohen, kritikojnë ose kontrollojnë ndikimin e rrjeteve të Sorosit. Shqipëria është e vetmja përjashtim. Në Tiranë: qeveria nuk e kritikon Sorosin, nuk ngre struktura parlamentare kundër tij, nuk kërkon transparencë të rrjetit të financimeve, madje, sipas opozitës, ka ndërtuar aleanca politike dhe institucionale me strukturat e tij. DW shkruan se PD e akuzon Ramën se është “fanari ndriçues i Sorosizmit” në rajon, duke pretenduar se qeveria Rama, që nga viti 2013, ka bashkëpunuar me Sorosin dhe djalin e tij Alexander për të ndërtuar një projekt afatgjatë të kontrollit të institucioneve përmes reformës në drejtësi, kushtetuese dhe elektorale. Në kohën kur vendet e tjerë miratojnë ligje transparence, komisione hetimore apo fushata kundër ndikimit të rrjetit Soros, në Shqipëri – sipas DW – kryeministri Edi Rama “preferon metoda të qeverisjes autoritare” dhe është i vetmi lider në rajon që nuk distancohet nga ato struktura.

Bizneset e Sorosit në Shqipëri

Gazeta “SOT” ka raportuar në artikujt e kaluar se Sorosi i ka shtrirë mirë tentakulat në Shqipëri. Në vitin 2008, qeveria e Berishës hapi rrugën që kompania Bedminster Capital Management LLC – e lidhur drejtpërdrejt me George Soros – të blinte Spitalin Amerikan, një nga asetet më strategjike në sistemin privat shëndetësor. Blerja u financua nga një kredi e butë prej rreth 200 milionë dollarësh e akorduar nga OPIC, prej të cilave 37.6 milionë dollarë shkuan për marrjen e aksioneve kontrolluese. Po në vitin 2008, një tjetër vendim i rëndësishëm i qeverisë Berisha i hapi Sorosit rrugën që Fondacioni “Besa”, i krijuar prej tij në 1998 me fonde publike shqiptare, të kthehej në një shoqëri aksionare – Fondi “Besa” sh.a. Kjo ndodhi pasi shteti shqiptar, përmes ministrit të Financave Ridvan Bode, pranoi që të gjitha të drejtat, detyrimet dhe borxhet e fondacionit ndaj shtetit të kalonin te kompania e re private. Paratë publike që kishin kapitalizuar fondin – mbi 309 milionë lekë nga FSHZH dhe kredi të garantuara nga shteti – u shlyen nga taksapaguesit shqiptarë, ndërsa fitimet e mëvonshme kaluan te rrjeti Soros. Këto dy zhvillime të vitit 2008 shënuan momentin kur rrjeti financiar i George Soros u shtri realisht në sistemin shëndetësor dhe financiar të vendit, duke krijuar baza të qëndrueshme ndikimi që vazhdojnë edhe sot.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related