Fieri çon për gjykim profesorin italian që shkaktoi aksidentin me viktimë dhe u largua nga vendi i ngjarjes

Data

Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim profesorin italian Michele D’Angelo, i akuzuar për shkaktimin e një aksidenti tragjik në aksin rrugor Fier–Levan, ku humbi jetën një i mitur dhe u plagosën tre persona të tjerë.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur më 8 gusht 2025, rreth orës 20:00, kur automjeti me targa të huaja i drejtuar nga i pandehuri u përplas me një automjet tip “Mercedes Benz” të shtetasit E.SH. Pas përplasjes, D’Angelo është larguar nga vendi i ngjarjes duke shmangur përgjegjësinë administrative dhe penale.

Hetimet e kryera në bashkëpunim me policinë gjyqësore kanë provuar se shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor nga i pandehuri kanë qenë vendimtare në ardhjen e pasojave.

Si rezultat i aksidentit, humbi jetën i mituri E.Sh., u plagos rëndë shtetasi F.T., ndërsa u lënduan lehtë një tjetër i mitur K.D. dhe drejtuesi i automjetit tip “Mercedes Benz”.

Prokuroria ka ngritur ndaj D’Angelo akuzat për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” sipas nenit 290/4 të Kodit Penal dhe “Largimi nga vendi i aksidentit” sipas nenit 273 të Kodit Penal.

NJOFTIMI I PROKURORISE:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim procedimin shtetasin M.G., shtetas i huaj, i akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor’ parashikuar nga neni 290 pg.4 i Kodit Penal dhe ‘Largimi nga vendi i aksidentit’ parashikuar nga nenit 273 i Kodit Penal.

Nga hetimet i kryer mbi procedimin penal nr.1207, datë 10.08.2025, në bashkëpunim me policinë gjyqësore u arrit të provohet se, në datë 08.08.2025, rreth orës 20:00, në aksin rrugor Fier- Levan, automjeti me targa të huaja, i drejtuar nga i pandehuri M.D., u përfshi në një aksident rrugor me automjetin tip “Mercedes Benz” të drejtuar nga shtetasi E.SH.

Automjeti që drejtohej nga i pandehuri M.D., është larguar nga vendi i ngjarjes, duke iu shmangur përgjegjësisë administrative dhe asaj penale.

Si pasojë e kësaj ngjarjeje, ka humbur jetën shtetasi i mitur E.Sh, është plagosur rëndë shtetasi F.T., si dhe janë plagosur lehtë shtetasi i mitur K.D dhe drejtuesi i automjetit tip “Mercedes Benz”. Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor nga i pandehuri M.D. janë vlerësar se kanë qenë determinante në ardhjen e pasojave.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh angazhimin e plotë për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit të shtetasve nëpërmjet mosrespektimit të rregullave të qarkullimit rrugor.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related