Kalaja e Rozafës në Shkodër nga janari deri në muajin tetor ka shënuar një rrije të numrit të vizitorëve. Kalaja e Shkodrës, apo siç njihet ndryshe me emrin Kalaja e Rozafës është një prej kështjellave më të rëndësishme të Shqipërisë dhe jo vetëm. Kalaja është dhe objekti kryesor turistik në qytetin e Shkodrës, ku sipas Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Shkodër nga janari deri në tetor ka pasur 167.109 vizitorë. “Nga janari në tetor, historinë dhe peizazhin që ofron Kalaja Rozafa e kanë njohur167,109 vizitorë, ose 14 për qind më shumë se një vit më parë! Një tjetër tregues se simboli i Shkodrës mbetet ndër vendet më të dashura për t’u vizituar në vendin tonë”, thuhet nga DRTK.
Kalaja e Rozafës ngrihet mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit të Shkodrës, në një pozicion strategjik, që kontrollon të gjithë territorin përreth saj. Në perëndim të kalasë mund të shihni lehtësisht pikën e takimit të lumenjve Drin, Kir dhe Buna, të cilët përshkojnë qytetin e Shkodrës dhe teksa gërshetohen sëbashku dhurojnë pamje mahnitëse të qytetit verior. Kalaja e Rozafës është me origjinë ilire dhe emri i saj “Rozafa” vjen nga periudha e mesjetës. Hyrjen kryesore kalaja e ka nga jug-lindja, sipërfaqja e brendshme ndahet nga muret e tre oborreve, me porta mes tyre. Oborret vijnë duke u ngritur njëri pas tjetrit, i treti është në pjesën e lartë të kodrës. Muret dalëse kanë të dalura drejtkëndore që zëvendësojnë kullat, ndërsa në murin e jashtëm kullat janë më të dendura. Brenda kalasë ka disa ambiente që lidhen me një kullë cilindrike, një depo si dhe një godinë trekatëshe të kohëve venedikase, quajtur Kapiteneria.
