Marjana Koçeku dhe heshtja që zhurmon

Data

Një histori e përfaqësimit të humbur dhe e politikës që kthen deputetin në hije të partisë.

Një simbol që humbi kuptimin

E promovuar si “çika e Malësisë”, Marjana Koçeku u soll në politikë si përfaqësuese e traditës, e besës dhe e vlerave familjare. Por me kalimin e kohës, simbolika u shua. Ajo që duhej të ishte zëri i malësorëve në Kuvend, u shndërrua në një heshtje që flet më shumë se çdo deklaratë.

Mungesa e saj në votimin për ligjin e barazisë dhe mosdiskriminimit u interpretua nga portale të caktuara si akt rebelimi. Por vetë Koçeku e përgënjeshtroi këtë version, duke e bërë të qartë se as rebelim nuk pati, as qëndrim personal. Në vend të kurajos, ajo zgjodhi neutralitetin.

“Kur heshtja bëhet qëndrim, tradhtia vishet me kostum parlamentar.”

Nga Nora te Shkurta – dhe më tej

Në vend të figurës së një Nore të Kelmendit që mbron nderin me guxim, politika shqiptare po prodhon “Shkurta” – të gjalla në nisje, të vdekura në kthim. Deputetja Koçeku, me heshtjen e saj, është shembulli i këtij degradimi simbolik: nga idealizmi te bindja, nga morali te oportunizmi.

Në Theth, ku njerëzit i dhanë besimin me shpresë se do të kishte zë, ajo u rreshtua me ata që heshtin. Në Kuvend, ku pritej të mbrojë vlerat, ajo mungoi. Dhe kur u pyet për qëndrimin, zgjodhi partinë – jo Zotin, jo familjen, jo traditën.

“Deputeti që nuk guxon të ketë qëndrim, është thjesht një karrige e zënë.”

Simptoma e një sistemi pa shpirt

Rasti i Koçekut nuk është rast i veçuar. Ai tregon një sistem politik ku deputeti nuk përfaqëson më qytetarin, por strukturën që e ka vendosur aty. Autonomia politike është zhdukur. Në vend të ndërgjegjes, sundon frika për t’u përjashtuar nga grupi.

Më e rëndë se mungesa fizike është mungesa morale. Sepse heshtja nuk është as modestie, as neutralitet — është një formë e re e servilizmit politik.

Një mesazh për brezin e ri

Nëse ky episod jep një mësim për të rinjtë, ai është ky:

Mos e bëni karrierën tuaj mbi heshtjen. Mos u bëni Marjana. Mos zgjidhni partinë përpara popullit që ju beson.

Demokracia nuk mbahet me deputetë që heshtin, por me qytetarë që flasin. Dhe kur fjala është detyrë, heshtja është mëkatare.

Albert Zadrima

Pedagog i Shkencave Politike

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related