Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e cila qëndron këto ditë në Berlin në një intervistë për DW flet lidhur me raportet aktuale ndërkombëtare të Kosovës, procesin e dialogut dhe krijimin e mazhorancës për qeverinë.
DW: Zonja presidente, mirë se vini në Berlin. Ndodhemi 100 metra larg Portës së Brandenburgut, e cila ka simbol të fortë, sepse lidhet me disa momente historike me shumë rëndësi: E para është triumfi në kohën e Prusisë. Pastaj vjen koha e ndarjes së Gjermanisë edhe pastaj vjen koha e lirisë dhe e paqes. Ku është Kosova ose në cilën prej këtyre fazave jemi në Kosovë?
Vjosa Osmani: Kosova natyrisht është në fazën e lirisë dhe paqes. Do të thoja që sfidat në mbrojtjen e lirisë dhe të paqes nuk ndodhin vetëm njëherë. Dhe kjo vërtetohet sidomos në kontinentin europian, ku sfidat e sigurisë janë të mëdha edhe sot, dhe pas pushtimit rus ndaj Ukrainës, ne e kemi parë që të gjithë, sidomos ne që kemi përjetuar luftë dhe që kemi në fqinjësinë tonë shtete agresore, që mbrojtja e lirisë dhe mbrojtja e paqes janë punë të përditshme, nuk përfundojnë me një triumf. Ato duhet vazhdimisht të mirëmbahen, ato duhet vazhdimisht të ushqehen, duhet vazhdimisht të mbrohen me çdo kusht dhe pavarësisht çmimit të lartë që duhet të paguhet, sepse gjithmonë ka forca, të cilat dëshirojnë t’i minojnë këto arritje, pra lirinë, paqen dhe demokracinë, dhe ne duhet si demokraci që jemi, të qëndrojmë të bashkuar në mbrojtjen e tyre.
DW: Një prej sfidave që keni përmendur janë edhe provokimet që vijnë nga shtetet e rajonit. Ju Serbinë e keni quajtur si dora e zgjatur e Rusisë. Ka pasur vërtet rreziqe konfliktesh, për të cilat ka folur edhe presidenti Trump, mes Kosovës dhe Serbisë?
Vjosa Osmani: Më mirë të them, mes Serbisë dhe Kosovës. E dini që sikur ta thoja këtë para vitit 2023, ndoshta shumë njerëz nuk do ta merrnin edhe aq seriozisht. Mirëpo pas shtatorit 2023, ku Serbia tentoi një akt agresioni kundër Kosovës, dhe nëpërmjet grupeve terroriste dhe paramilitare të cilët i futi në Kosovë, kishte për qëllim të aneksonte veriun e Kosovës, sipas planeve të Putinit dhe metodave të tij.
