“Inceneratorë që nuk janë projektuar, 400 milionë euro të avulluara”/ Reagon ashpër deputeti: Qeveria ka dështuar

Data

Deputeti i PD-së, Eno Bozdo, ka folur mëngjesin e sotëm për situatën e menaxhimit të mbetjeve në vend dhe projektligjin e ri të qeverisë për këtë çështje. Bozdo është shprehur, se puna e qeverisë në menaxhimin e mbetjeve ka dështuar dhe e ka përkeqësuar më tej situatën.

“Gjithmonë tema e mbetjeve. Shikoni, ju veçuat lajmin e shkeljes së autonomisë vendore, dhe për mua, personalisht, ndoshta s’jam jurist, është më e pakta që mund të ndodhë. Sepse kur vjen çështja te mbetjet, jemi bërë më keq se në Mesjetë. Mesjeta ka pasur mbetje organike përgjithësisht dhe dekompozoheshin, kurse ne i lëmë pirgjeve, veçanërisht kemi qejf t’i vëmë buzë Jonit apo Adriatikut. Të digjen disa herë gjatë verës sepse ajri i pastër nuk mund të jetë pa tymin e tyre, pa llogaritur ato ujëra që prekin nëntokën, prekin shtretërit e lumenjve, detin dhe të gjithë ekosistemin.

Ka vite që ndodh një gjë e tillë, ka të paktën 14 vite. Dhe qëllon që unë, për arsye që kam pasur postin e zëvendëskryetarit të Bashkisë Tiranë, e njoh mirë këtë sektor sepse jam marrë dy vite me një projekt për menaxhimin e mbetjeve të Sharrës, gjë e cila, pasi ishim duke i dhënë zgjidhje dhe ishim gati për t’i dhënë zgjidhje, qeveria e re e Ramës e bllokoi atë projekt, ku 1 vit ishte pezullim, e pastaj ndodhi ideja e inceneratorit total, që doli pa kuptuar”, u shpreh ai.

Bozdo tha ndër të tjera se në 12 vite qeverisje, Partia Socialiste ka krijuar tre inceneratorë jofunksionale, ka helmuar popullatën dhe ka prishur imazhin e Shqipërisë.

“Ajo që ju kap në insert është me rëndësi, por për mua gjëja më e rëndësishme është se ky projektligj nuk zgjidh asgjë. Në 12 vite kemi 3 inceneratorë që nuk janë projektuar, 400 milionë euro të avulluara,helmimi i popullatës, prishja e imazhit të Shqipërisë, dhe jemi më keq se ajo që mund të kemi qenë 80 vite më parë”, u shpreh Bozdo.

 

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related