Franca drejt një krize të re politike? Kryeministri paraqet prioritetet buxhetore, Sébastien Lecornu përballë një mocioni mosbesimi

Data

Kryeministri i Francës, Sébastien Lecornu, do t’i drejtohet sot, të martën, parlamentit për të paraqitur prioritetet e tij buxhetore dhe për të siguruar mbështetjen e socialistëve, në një kohë kur përballet me një mocion mosbesimi që mund ta çojë vendin drejt një tjetër krize politike.

Sipas Reuters, Franca ndodhet përballë një prej trazirave më serioze politike të dekadave të fundit, teksa qeveritë e njëpasnjëshme të pakicës përpiqen të miratojnë buxhete shtrënguese për reduktimin e deficitit, në një parlament të ndarë thellësisht në tri blloqe ideologjike.

E majta radikale dhe ekstremi i djathtë kanë paraqitur tashmë mocione mosbesimi, për të cilat votimi është planifikuar të mbahet të enjten në mëngjes. Lecornu rrezikon të humbasë, nëse nuk arrin të bindë socialistët që ta mbështesin.

Në moshën 39-vjeçare, Lecornu është tashmë kryeministri me mandatin më të shkurtër në historinë moderne të Francës, pasi dha dorëheqjen dhe u rikthye në detyrë në fund të javës së kaluar.

Megjithatë, ai rrezikon të rrëzohet sërish për shkak të mocionit të mosbesimit. Nëse humbet votimin, pritet që presidenti Emmanuel Macron të detyrohet të shpallë zgjedhje të reja parlamentare. Macron ka ndërruar tashmë pesë kryeministra në më pak se dy vjet, duke shmangur deri tani si dorëheqjen, ashtu edhe zgjedhjet e parakohshme.

Para fjalimit të tij, i cili është planifikuar për pasditen e së martës, Lecornu mori pjesë në mbledhjen e parë të kabinetit qeveritar, pas rizgjedhjes së tij si kryeministër të premten.

Ndërkohë, Partia Socialiste, e cila mbetet e ndarë mes krahut moderat dhe atij më të majtë, do të mblidhet gjithashtu sot për të vendosur nëse do të mbështesë mocionin e mosbesimit.

Rreth 25 vota nga radhët e socialistëve do të mjaftonin për të rrëzuar qeverinë. Partia ka kërkuar heqjen e reformës së pensioneve të Macron-it dhe vendosjen e një takse mbi miliarderët, propozime që mund të largojnë mbështetjen e konservatorëve dhe të çojnë në rënien e Lecornu-t.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related