Avokati i njohur, Spartak Ngjela ka komentuar përmes disa reagimeve në rrjetet sociale situatën politike në vend, ndërsa ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Fillimisht avokat Ngjela e nis reagimin e tij me tone të forta ndaj deklaratave të kryeministrit Rama për bashkimin kombëtar. Ai e akuzon Ramën se po flet pa baza dhe se nuk e kupton thelbin e vullnetit historik të shqiptarëve. Sipas tij, bashkimi kombëtar është një çështje vullneti dhe jo frike apo ndikimi nga faktorë të jashtëm. Në përfundim, ai thekson se asnjë pushtetar nuk mund të shkelë idealin kombëtar pa u gjykuar nga vetë historia. “Rama po flet broçkulla për bashkimin kombëtar. Sepse ose e ka frikë, ose nuk e lë Parisi. Por ideali kombëtar i shqiptarisë është vullnet; prandaj edhe bashkimi kombëtar i dy shteteve shqiptare është vullnet kombëtar dhe jo një frikë që ka antishqiptaria.
Kot lodhen. Janë dy shtete shqiptare të pavarur dhe çdo marrëveshje juridike midis dy shteteve shqiptare të pavarur nuk ka lidhje me Ramën, që dihet se nuk ka luajtur ndonjëherë për shqiptarinë: por kjo ka lidhje me vullnetin historik të shqiptarëve. Dhe këtu merr fund çdo diskutim. Një pushtetar që nuk e di dhe nuk e njeh se çfarë është vullneti historik i popullit të tij; nuk ka lidhje me këtë popull. Aaaa, mbretëria absolute nuk do të vendoset kurrë në Shqipëri. Këtë duhet ta kuptojë pa hezitim edhe Edi Rama. Dhe historia e shqiptarisë nuk mund të shkelet dot nga askush; sepse kjo shkelje e hedh shkelësin menjëherë në plehrat e historisë”, shkruan ai.
