Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, deklaroi se për zgjedhjet e pjesshme të Tiranës opozita duhet të veprojë me një formulë të re: të propozojë disa kandidatura dhe së bashku të zgjedhin përmes një kompanie sondazhesh cilin të mbështesin.
Ai u shpreh se është i lumtur që PD-ja ka pranuar tashmë idenë e një kandidati jashtë partive për të rritur shanset e fitores. Shehaj theksoi se sa më shumë kandidatë që plotësojnë kushtet të shprehin interesin, aq më e madhe është mundësia që të gjendet një emër me potencial të lartë.
Në fjalën e tij tha se është koha që opozita të mos mbetet tek taktikat e vjetra. Ai ftoi partnerët opozitarë të bien dakord që brenda dy ditësh të përzgjidhet kompania që do të kryejë sondazhin profesional dhe drejtimin final të kandidaturës që do të marrë mbështetje unanime.
