Tre shtetase kineze, të moshave 41, 43 dhe 47 vjeç, janë arrestuar në Durrës pasi kishin marrë me qira një apartament në lagjen nr. 13, Plazh, dhe e kishin përshtatur atë për ushtrimin e prostitucionit. Pesë persona të tjerë u proceduan penalisht në gjendje të lirë për të njëjtën veprimtari.
Gjatë kontrollit në apartament janë sekuestruar 3 pasaporta kineze, një shumë parash e dyshuar si fitim nga prostitucioni, 8 celularë dhe 11 karta bankare nga Kina dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Operacioni policor është zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, me mbështetje nga Prokuroria, si rezultat i hetimeve që kanë zgjatur disa javë për veprat penale “Prostitucioni” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”.
