Një operacion policor nën kodin “Trekëndëshi” ka rezultuar me arrestimin në flagrancë të një të riu 22-vjeçar, banues në Tiranë, i identifikuar me inicialet B. S. Policia shqiptare njofton se ai u kap duke transportuar pako me 564 gramë kokainë, që dyshohet të ishte për shitje në doza në zona të ndryshme të kryeqytetit, si Yzberisht, Kashar dhe Ali Demi. Automjeti që përdorej, një “Benz”, u ndalua në autostradën Tiranë-Durrës, afër Vorës, ku dhe u krye kontrolli policor.
Lënda narkotike dhe mjeti u sekuestruan menjëherë. Të gjitha veprimet procedurale janë përmbyllur dhe materiali hetimor i është dorëzuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme. Policia po vazhdon hetimet për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të lidhur me këtë aktivitet kriminal.
