Ashtu siç e paralajmëroi vetë, kryeministri Edi Rama u takua dje në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Në daljen e përbashkët para mediave, Rama e ngriti çështjen e portit të Porto Romanos, duke e paraqitur si projekt strategjik për Aleancën dhe duke kërkuar mbështetje politike e ushtarake për ndërtimin e tij. Ai deklaroi se Shqipëria është e interesuar për të diskutuar për hapat e mëtejshëm për të bërë të mundur ndërtimin e portit ushtarak të Porto Romanos. “Jemi për të rikonfirmuar gjithçka thatë dhe më shumë. Duam të bëjmë më shumë. Ne jemi duke lëshuar rilindjen e industrisë ushtarake. Jemi shumë të interesuar të diskutojmë me ju mbi hapat e mëtejshëm që mund të ndërmarrim për ta bërë të mundur ndërtimin e portit të ri ushtarak në Shqipëri, në Porto Romano. Sigurisht, jemi këtu gjithashtu për të biseduar së bashku se si mund të përfshihemi në programin SAFE të Bashkimit Europian, i cili në aspektin e sigurisë shtrihet përtej kufijve të vendeve anëtare të BE-së”, deklaroi Rama.
Rutte nuk përmend fare portin
Por përgjigjja që mori nuk ishte ajo që priste. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, në deklaratën e tij zyrtare, nuk përmendi asnjë fjalë për Porto Romanon. Rutte foli gjerësisht për Shqipërinë si aleate të palëkundur, për faktin se vendi do të arrijë këtë vit nivelin 2% të shpenzimeve të mbrojtjes dhe për rolin e saj në mbështetje të Ukrainës, por çështja që Rama u përpoq të impononte mbeti e injoruar.
