Figurat e afërta me Erion Veliajn, dikur një bërthamë e fuqishme brenda Partisë Socialiste dhe e njohur si grupimi G99, po “eliminohen” njëra pas tjetrës. Arrestimi i Veliajt, zhveshja nga posti , hetimet e SPAK ndaj Arbjan Maznikut dhe arratisja jashtë vendit e Endri Fugës lidhen në një linjë të vetme politike, atë të spastrimit të brendshëm të orkestruar nga kryeministri Edi Rama. Modeli i ndjekur është i njëjtë. Fillimisht ndodh distancimi politik, kritikat publike dhe margjinalizimi nga funksionet kyçe, më pas pason ndërhyrja e SPAK-ut.
Ky mekanizëm u pa qartë edhe në rastin e Arben Ahmetajt. Para se të përfundonte në arrati pas urdhër-arrestit të lëshuar nga SPAK për aferën e inceneratorëve, Ahmetaj u “zhvesh” gradualisht nga çdo detyrë në qeveri dhe parti. Rama e la vetëm një deputet të thjeshtë, duke i mbyllur çdo derë politike. E njëjta skemë u pa edhe me Erion Veliajn. Fillimisht u sinjalizua ftohja e marrëdhënies me Ramën, më pas erdhën kritikat publike dhe distancimi nga vendimmarrjet, dhe në fund arrestimi i tij në shkurt 2025. Arbjan Mazniku ndodhet tashmë në një trajektore të ngjashme, duke kaluar nga margjinalizimi politik drejt përfshirjes në hetime të shumta penale.
