Numri i të punësuarve në Shqipëri arriti në 1.177.245 persona në vitin 2024, me një rritje prej afro 22 mijë vetësh përkundrejt vitit 2023, bëhet e ditur nga të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave në botimin e përvitshëm mbi tregun e punës.
Por rreth 24% e të gjithë të punësuarve i përkasin një kategorie të njohur si “të punësuar në biznes familjar” dhe që nuk paguhen me pagë, ndërsa mes shtesës së vitit 2024, pjesa e të punësuarve pa pagë ishte 40%.
Instituti i Statistikave përdor metodologjinë e Bashkimit Evropian për përkufizimin se kush është i punësuar dhe kush i papunë, si dhe ata që konsiderohen “enonomikisht joaktivë” siç janë studentët apo personat që thjesht nuk dëshirojnë të punojnë.
Sipas këtij klasifikimi, në Shqipëri pati pothuajse 1,18 milionë të punësuar, ku 537 mijë vetë ishin të punësuar me pagë, 355 mijë të vetëpunësuar dhe 285 mijë, të punësuar pa pagë.
Një në katër qytetarë mes moshës 15 dhe 64 vjeç hyjnë në kategorinë e popullsisë inaktive.
