Shqipëria duket se është përballë një skandali të paparë politik dhe financiar. Miliona euro tendera publikë dyshohet se po shkojnë direkt në xhepat e baxhanakut të kryeministrit, Armand Frangu, ndërkohë që Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), është kthyer në pronë private të Edi Ramës. Rrjeti i korrupsionit dyshohet se është i lidhur ngushtë me familjen dhe afërmit e kryeministrit. Madje thuhet se kanë qenë disa përgjime ambientale të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ato që kanë zbuluar mënyra sekrete dhe të fshehta shpërndarjeje tenderash, duke ekspozuar një rrjet të strukturuar abuzimi që të çojnë drejt të afërmëve të shefit të qeverisë.
Ndërkohë këto pretendime janë përforcuar edhe nga ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj, i cili denoncoi muaj më parë në “Çim Peka Live” se AKSHI është kthyer në kopësht privat të Ramës. Ai bëri të ditur se miliona euro tendera shkojnë për llogari të baxhanakut të kryeministrit, Armand Frangu. Ish-numri 2 i qeverisë nxori prova të forta që duhet të çojnë në veprime konkrete nga institucionet e drejtësisë. Po ashtu, edhe emisioni investigativ “Plug” zbuloi se individë dhe kompani të përmendur nga Ahmetaj kanë përfituar mbi 53 milionë euro nga AKSHI dhe institucione të tjera shtetërore, përfshirë SPAK. Kompani që dukeshin të pavarura në realitet janë të lidhura ngushtë me familjen kryeministrore, duke ngritur dyshime për konflikt interesi, korrupsion dhe përfitim personal.
