Në Poliklinikën e Specialiteteve në Shkodër nga 1 qershori deri më 15 gusht janë kryer 13 400 vizita ambulatore. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një postim në rrjetet sociale. Ministrja Koçiu informoi gjithashtu se “në Urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër janë kryer 11,471 vizita, mes tyre 323 shtetas të huaj”. Dr. Egir Lezha, shef shërbimi në Poliklinikën e Specialiteteve në Shkodër, në videon e publikuar nga Koçiu, tha se “poliklinika pas rikonstruksionit është në funksion të plotë, kemi rritur cilësinë e kujdesit shëndetësor me kompletimin e stafit mjekësor, me specialistë. Kemi dubluar disa specialitete që janë shumë të nevojshme.
Gjithashtu kemi krijuar një sistem referimi të brendshëm për konsulta të ndërlidhura, kemi kompletuar poliklinikën me staf të mesëm mjekësor për çdo specialitet”. “Është rritur fluksi i pacientëve, sidomos mosha pediatrike dhe moshat e treta. jemi të përgatitur për çdo fluks të pacientëve”, tha Lezha. Poliklinika e Specialiteteve në Shkodër ofron tashmë shërbime shëndetësore në kushte bashkëkohore, me ambiente të rikonstruktuara dhe pajisje diagnostikuese të gjeneratës së fundit, duke iu shërbyer mbi 200,000 banorëve të Shkodrës dhe zonave përreth. Në poliklinikë janë 22 specialitete mjekësore të mbështetura nga kabinete moderne për imazheri, radiografi, ekografi dhe mamografi, që sigurojnë diagnozë të saktë dhe kujdes cilësor për të gjithë.
