Komiteti i Investimeve Strategjike, i kryesuar nga kryeministri Edi Rama, miratoi me 10 prill statusin “investitor strategjik” për dy kompani private – “Anima Con” dhe “EB Construction”, të cilat kanë në plan të ndërtojnë një hotel dhe një kompleks rezidencial në njërën prej zonave më të lakmuara të Tiranës.
Vendimi i marrë gjatë një mbledhjeje të zhvilluar me dyer të mbyllura u argumentua nga qeveria si pjesë e strategjisë për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe investimet në sektorin e turizmit dhe ndërtimit, dy nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare.
Sipas dokumenteve zyrtare, ky projekt do të përfitojë lehtësi procedurale dhe përparësi administrative, përfshirë shpejtimin e procedurave për lejet e ndërtimit.
