Belind Këlliçi, që prej kohësh është shfaqur si një prej zërave më të fortë kritikë ndaj qeverisë socialiste, tashmë akuzohet se ka lidhje të ngushta me zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Kjo e fundit, sipas shumë fakteve që po shtohen çdo ditë, del se është përfshirë në një skemë të ndërlikuar politike, ku përdor figura nga opozita për të goditur rivalët e saj politikë brenda mazhorancës. Editoriali i portalit “Timoni.al”, që sipas mediave besnike të Veliajt është i njohur për lidhjet me linjën e Sali Berishës, hodhi së fundmi akuza direkte ndaj Këlliçit, duke e portretizuar si “opozitar ditën, mburojë të Ballukut natën”. Kjo përplasje publike, është nisur në fillimi nga Çim Peka dhe e përshkallëzuar tashmë edhe nga portale pranë familjes Berisha.
Lidhjet e Këlliçit dhe Ballukut i përforcon më shumë vëllai i deputetit të PD, i cili ka qenë i punësuar si këshilltar juridik pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë gjatë kohës kur ministrja e këtij dikasteri ishte Belinda Balluku. Sipas burimeve, Reshard Këlliçi ka qëndruar në këtë pozicion deri në shkurt të vitit 2023, pra pikërisht në kohën kur vëllai i tij Belindi u emërua drejtues politik i PD-së për Tiranën. Pas dorëheqjes nga Ministria, Reshard Këlliçi u angazhua si ekspert pranë Sekretariatit të Energjisë për Bashkimin Europian, një institucion kyç për politikën energjetike në Shqipëri, ku vendi ynë mbajti edhe presidencën në vitin 2023. Ky Sekretariat është në lidhje të ngushtë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, e drejtuar nga Balluku, duke e përforcuar kështu rrjetin e influencës dhe ndikimit mes tyre. Në këtë kontekst, pozicioni i Reshard Këlliçit është më shumë se thjesht një punësim i zakonshëm; ai është një hallkë e rëndësishme në një strukturë ku bashkëpunimi dhe ndarja e influencës shkojnë përtej interesave institucionale.
