Ka filluar me reagimin e zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova, vazhdoi me një deklaratë jashtëzakonisht të ashpër të Ambasadës ruse në Sarajevë, dhe deri tani ka rezultuar me konsultime të jashtëzakonshme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Të gjitha këto janë pjesë e një “ofensive” diplomatike ruse për ta mbrojtur pozitën e Millorad Dodikut, liderit prorus të partisë kryesore serbe në Bosnje e Hercegovinë, i dënuar me burgim dhe i ndaluar nga veprimtaria politike, të cilit i është hequr mandati si president i entitetit të Republikës Sërpska.
Më pak se 24 orë pas këtyre konsultimeve, të thirrura me kërkesë të Rusisë, Ministria e Jashtme e Bosnjës njoftoi se do t’u dërgojë letër vendeve të QUINT-it (SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia), për t’i paralajmëruar mbi “kërcënimet serioze ndaj stabilitetit dhe sovranitetit të Bosnjës” që, sipas saj, vijnë nga Rusia.
Letra lidhet me vendimin e fundit të Komisionit Qendror Zgjedhor të Bosnjës për t’ia hequr Dodikut mandatin, pas një vendimi të formës së prerë që e dënoi me një vit burgim dhe ndalim të funksioneve publike për gjashtë vjet, për moszbatimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar në Bosnje.
