Pak kush do ta kishte menduar se një atentat në Budva do të shkaktonte trafik e radhë të gjata plot 70 kilometra më larg, në pikën kufitare të Muriqanit.
Mbrëmjen e kaluar dhe deri në mesditën e sotme, qindra automjete kanë pritur me orë të tëra për të kaluar kufirin drejt Shqipërisë. Shkak u bë niveli i lartë i alarmit që Policia malazeze vendosi në gjithë territorin, pas ngjarjes së rëndë në Budva.
Uniformat blu nuk aplikuan procedurat e përshpejtuara, duke ushtruar kontrolle të imtësishme ndaj të gjithë shtetasve të moshës 18-35 vjeç, profil që i afrohej autorit të dyshuar. Dyshohej se atentatori mund të tentonte arratisjen drejt Shqipërisë.
