Ish-hulumtuesja në Tribunalin e Hagës, Nevenka Tromp e nisi fjalimin në Prishtinë me sloganin “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”. Ky slogan, sipas saj, nuk është thjesht slogan, “por realiteti i dhimbshëm që ju po përballeni prej vitesh. Që drejtësia të pranohet ajo duhet të ketë legjitimitet”.
Mijëra qytetarë protestuan të enjten në Prishtinë “kundër padrejtësisë” nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. E pranishme ishte edhe Nevenka Tromp, e cila për një dekadë ka qenë hulumtuese e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.
Ajo tha se gjykatat duhet të veprojnë në mënyrë të paanshme dhe nëse drejtësia zbatohet në mënyrë selektive, pasi rrezikon të jetë padrejtësi. Tromp kujtoi se ish-krerët e UÇK-së shkuan vullnetarisht në Hagë, pasi tha se “besuan se do të ketë drejtësi”.
