Skema Kombëtare e Investimeve, mundësi financimi në bujqësi, agropërpunim dhe agroturizëm

Data

Skema Kombëtare e Investimeve 2025 ka hapur mundësi të reja për fermerët, agropërpunuesit dhe sipërmarrësit e sektorit të agroturizmit. Kjo iniciativë, e cila është e hapur për aplikime deri më 30 shtator 2025, ofron një paketë mbështetjeje financiare të integruar, që përfshin grante deri në 50% të vlerës së investimeve, si dhe kredi të buta me norma të ulëta interesi. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, bashkë me ministrin e Financave,  Petrit Malaj, dhe drejtoreshën e AZHBR-së, Ardita Kuçi, u bënë thirrje dje fermerëve në të gjithë vendin që të përfitojnë nga mundësitë që ofrohen për të modernizuar dhe rritur kapacitetet e bujqësisë shqiptare.

Gjatë një vizite të zhvilluar në Agropikën në Lushnjë, zonë kyçe për bujqësinë, ata nënvizuan rëndësinë e këtij programi për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare dhe për zhvillimin e mëtejshëm të sektorëve të bujqësisë dhe agroturizmit. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur se Skema e Investimeve 2025 përfshin 9 masa mbështetjeje, të cilat ofrojnë mundësi financimi për investime në bujqësi, agropërpunim dhe agroturizëm. “Fermerët mund të aplikojnë për grante deri në 50% të shpenzimeve për ndërtimin e serave, mekanikën bujqësore, sistemet e mbrojtjes së prodhimeve dhe zhvillimin e agropërpunimit, duke krijuar mundësi të reja për rritjen e vlerës së produkteve të tyre”, theksoi ministrja Denaj. Një nga risitë e këtij viti, theksoi Denaj, është mbështetja e veçantë për agropërpunimin, për të cilin janë alokuar 20 milionë euro. Një tjetër fokus, nënvizoi Denaj, është agroturizmi, që ndihmon në ruajtjen e traditave dhe promovimin e produkteve autentike shqiptare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related