Drafti i ri i Kodit Penal, i bërë publik vetëm disa ditë më parë, pasi u mbajt në “sirtar” për plot 1 vit, ka sjellë reagime nga të gjitha anët. Krahas zërave të pafundme kundër edhe nga vetë sistemi i drejtësisë si SPAK-u, Prokuroria e Përgjithshme apo edhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë, ditët e fundit edhe faktori ndërkombëtar është “rreshtuar” kundër.
Nisma synon që Shqipëria të kthehet në një shtet autokrat, i ngjashëm me “regjimet” e Putinit apo Erdoganit. Koha e gjatë në pushtet, burgosja e opozitës apo edhe e njerëzve afër tij, disa prej të cilëve në arrati, po e kthejnë kryeministrin Edi Rama në një të “paprekshëm”. Kush guxon që të denoncojë qeverinë, ministrat apo drejtorët, pa u mbaruar gjyqi, rrezikojnë që të hetohen dhe dënohen.
Njëjtë siç ka ndodhur në ato shtete autokrate, sidomos në Rusi apo Turqi. Deklaratat e juristëve apo hartuesve se “kopjuan” modelin gjerman, janë thjesht disa gënjeshtra të radhës, pasi modeli shqiptar është një “copy paste” e Kodit Penal turk. Gjithkush ka parë e lexuar se gazetarët, opozita dhe shoqëria civile që denoncon Erdoganin, janë arrestuar dhe dënuar për “fjalën e lirë”.
