Emisioni “Fiks Fare” ka bërë një vëzhgim nga veriu në jug, në dhjetëra stacione plazhi, për të parë nëse zbatohen kriteret për vendosjen e kullave të vrojtimit, rojeve dhe mjeteve të shpëtimit.
Ka një VKM të dalë në vitin 2019, ku çdo stacion plazhi duhet të ketë roje, pajisje, radio ndërlidhëse për shpëtimin e pushuesve. Por, nga vëzhgimi i Fiks Fare rezultoi se në shumicën e stacioneve mungonte kulla, s’kishte roje dhe as mjete. Për pasojë, çdo vit mbyten pushues në çdo plazh. Kush mban përgjegjësi?!
Vendimi i qeverisë: Nëse s’ka vrojtues, hiqet leja!
Në vitin 2019, qeveria miratoi një VKM për “kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”. Janë një mori kriteresh që duhet të përmbushë një subjekt privat për t’a marrë lejen në disa institucione. Në nenin 7 përcaktohen edhe kërkesat për sigurinë në këto stacione plazhit. Krahas pastërtisë dhe sigurisë, shkruhet se “të gjitha stacionet e plazhit duhet të garantojnë shërbimin me vrojtues plazhi përgjatë gjithë kohës që subjekti ushtron aktivitetin e tij”.
Madje përcaktohet mjaft qartë se për çdo 80 metra vijë lineare bregdetare duhet të ketë një vrojtues. Ndërkohë, shkruhet se të gjitha stacionet e plazhit duhet të kenë flamuj (i kuq ndalim notimi, i verdhë notim me masa mbrojtëse dhe jeshil që lejohet notimi). Dhe, këto duhet të vendosen në kullën që duhet të jetë 3.5 metra e lartë.
